Real Madridi ka pësuar një nga humbjet më të papritura të sezonit, duke u larguar nga Kupa e Mbretit që në fazën e 1/8-ave. “Los Blancos” u mposhtën 3-2 nga Albacete, skuadër që militon në La Liga 2, në një përballje dramatike që pritet të mbetet gjatë në kujtesën e futbollit spanjoll.
Takimi u zhvillua me ritëm të barabartë për pjesën më të madhe të lojës, por në minutën e 42-të ishin vendasit që shënuan të parët. Pas një goditjeje nga këndi, Javi Villar u shkëput bukur në zonë dhe me kokë realizoi golin që i dha avantazhin Albacetes. Reagimi i Realit nuk vonoi shumë, pasi në sekondat e fundit të pjesës së parë Franco Mastantuono barazoi rezultatin, duke mbyllur 45 minutat e para në shifrat 1-1.
Pjesa e dytë solli tension dhe surpriza të tjera. Kur ndeshja dukej se po shkonte drejt kohës shtesë, Jefte Betancor shfrytëzoi një moment hutimi në mbrojtjen madrilene dhe shënoi për 2-1 në minutën e 82-të. Reali nuk u dorëzua dhe në minutën 90+1 Gonzalo Garcia gjeti rrugën e rrjetës, duke rikthyer baraspeshën dhe shpresën për kualifikim. Megjithatë, drama nuk kishte mbaruar ende. Në minutën e 94-t, Betancor realizoi dopietën personale dhe golin vendimtar, duke i dhënë Albacetes një fitore historike 3-2.
Ky eliminim vjen në një moment delikat për Real Madridin, vetëm pak ditë pas largimit të Xabi Alonsos nga pankina, pas humbjes ndaj Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës. Drejtimin e skuadrës e ka marrë Alvaro Arbeloa, i cili pas këtij rezultati të hidhur ndodhet menjëherë nën presion. Ndërkohë, për Albaceten, kjo fitore përfaqëson një nga arritjet më të mëdha në historinë e klubit.
/tvklan.al


