Pas arratisjes së Altin Ndocit mesditën e së martës (13 janar), shumë persona që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë po transferohen nga burgu i Durrësit drejt atij të Fierit.
Ky vendim vjen pas kërkesës së ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari gjatë një takimi me drejtuesit e burgjeve, ku kërkoi masa të menjëhershme për forcimin e sigurisë në sistemin e burgjeve dhe transferimin e të burgosurve që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë.
Burgu i Durrësit nuk është një burg me siguri të lartë, ndaj është parë e arsyeshme që personat me rrezikshmëri të lartë të mos qëndrojnë më në këtë burg. Bëhet fjalë vetëm për transferimin e personave me rrezikshmëri të lartë dhe jo zyrtarëve të arrestuar.
Më herët gjatë ditës, ministri i Drejtësisë shkarkoi nga detyra për këtë ngjarje drejtuesin e burgut, Indrit Cërrloj, ndërsa policia vuri në pranga 8 persona: Aulon Çuko, kryeinfermier në spitalin e Durrësit, Desdemon Pazaj, zëvendësshef i Policisë dhe pesë efektivë policie që shoqëronin të burgosurit, Dorjan Saraçi, Sal Ferollari, Preng Marvataj, Fatjon Baci, Aranit Çela.
PAMJET FILMIKE
Pamjet filmike tregonin qartë se Ndoci zbriti nga ambulanca i lirë, pa pranga, dhe më pas shoqërohet drejt godinës së spitalit nga efektivët. Fakti që ai ndodhej pa masa sigurie fizike bie në kundërshti me rregulloren, pasi për shkak të rrezikshmërisë së tij, Ndoci duhej të ishte i prangosur gjatë gjithë kohës së shoqërimit.
Po ashtu, janë publikuar edhe pamjet që tregojnë momentin kur Altin Ndoci largohet me vrap nga ambientet e Spitalit të Durrësit, duke iu shmangur rojeve të sigurisë. Në video, ai shihet duke vrapuar mes automjeteve në parkimin e spitalit dhe më pas zhduket pas një ndërtese, ku dyshohet se e priste një automjet tip “Audi”, me të cilin u arratis.
NGJARJA
Ngjarja ndodhi mesditën e së martës kur Altin Ndoci, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, përfshi vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, u arratis ndërsa shoqërohej për një vizitë mjekësore në spitalin e Durrësit. Ai dyshohet se ka kërkuar të shkojë në tualet, ku ka shfrytëzuar rastin për t’u arratisur. Mësohet se Ndoci ka goditur edhe një efektiv dhe me pas është larguar me vrap. Me pas ai ka hipur ne një automjet “Audi” që e priste në parkimin e spitalit dhe është larguar.
“I paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore”, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Altin Ndoci po gjykohet për një sërë veprash penale të rënda dhe në dosje të ndryshme. Së fundmi, ai u dërgua për gjykim nga SPAK në tetor 2025, si pjesë e organizatës kriminale për të cilën akuzohen vëllezërit Çopja. I arrestuar prej vitit 2020, Ndoci është identifikuar nga të penduar të drejtësisë si pjesëmarrës në disa atentate në luftën mes grupeve kriminale në vend.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk i sqaroi rrethanat e arratisjes. Ajo bëri me dije se Ndoci ishte shoqëruar në spital nga strukturat e burgjeve dhe se arratisja ka ndodhur brenda godinës së përshtatur për trajtimin e të burgosurve.
“Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit”, thuhet në njoftimin e DPB.


