Ministria e Drejtësisë ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës, Indrit Cërrloj, për shkak të arratisjes së të dënuarit Altin Ndoci nga Spitali Rajonal i Durrësit, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme, më 13 janar.
Po ashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve më herët ka njoftuar se ka ndërmarrë masa administrative dhe ligjore, duke pezulluar të gjithë zinxhirin komandues të burgut dhe duke ndaluar disa punonjës të Policisë së Burgjeve, shërbimit shëndetësor dhe punonjës të tjerë të përfshirë në shoqërimin e Altin Ndocit në spitalin e Durrësit.
Nga verifikimet paraprake rezulton se shoqërimi i tij për vizitë mjekësore nuk është raportuar dhe nuk është miratuar sipas procedurave nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, si dhe nuk është njoftuar Komisariati i Policisë Durrës, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Po ashtu, nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve.
Emrat e të pezulluarve
z. Indrit Cerloj – Drejtor i IEVP Durrës;
z. Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë;
z. Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar);
znj. Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;
z. Aulon Quku – Kryeinfermier;
z. Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
z. Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
z. Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
z. Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
z. Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
z. Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
znj. Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve.
Ndalimi i personave
Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve;
Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës.
Ndërkohë, sipas gazetares Xhensila Kodra, Altin Ndoci, dyshohet se fshihet në Tiranë. Sipas saj, janë zhvilluar disa kontrolle në zona të ndryshme të Tiranës, konkretisht në Astir, Don Bosko, Selitë etj.
Gjithashtu është kontrolluar edhe banesa e tij në Yzberisht, por familjarët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për vendndodhjen. Si rrugë lidhëse me Durrësin, kontrolle u kryen edhe në rrugën e Ndroqit.
PAMJET FILMIKE
Pamjet filmike tregojnë qartë se Ndoci zbret nga ambulanca i lirë, pa pranga, dhe më pas shoqërohet drejt godinës së spitalit nga efektivët.
Fakti që ai ndodhej pa masa sigurie fizike bie në kundërshti me rregulloren, pasi për shkak të rrezikshmërisë së tij, Ndoci duhej të ishte i prangosur gjatë gjithë kohës së shoqërimit.
Po ashtu, janë publikuar edhe pamjet që tregojnë momentin kur Altin Ndoci largohet me vrap nga ambientet e Spitalit të Durrësit, duke iu shmangur rojeve të sigurisë.
Në video, ai shihet duke vrapuar mes automjeteve në parkimin e spitalit dhe më pas zhduket pas një ndërtese, ku dyshohet se e priste një automjet tip “Audi”, me të cilin u arratis.
NGJARJA
Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme kur Altin Ndoci, i akuzuar për një sërë veprash të rënda penale, përfshi vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, u arratis ndërsa shoqërohej për një vizitë mjekësore në spitalin e Durrësit.
Ai dyshohet se ka kërkuar të shkojë në tualet, ku ka shfrytëzuar rastin për t’u arratisur. Mësohet se Ndoci ka goditur edhe një efektiv dhe me pas është larguar me vrap. Me pas ai ka hipur ne një automjet “Audi” dhe është larguar.
“I paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore”, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Altin Ndoci po gjykohet për një sërë veprash penale të rënda dhe në dosje të ndryshme. Së fundmi, ai u dërgua për gjykim nga SPAK në tetor 2025, si pjesë e organizatës kriminale për të cilën akuzohen vëllezërit Çopja.
I arrestuar prej vitit 2020, Ndoci është identifikuar nga të penduar të drejtësisë si pjesëmarrës në disa atentate në luftën mes grupeve kriminale në vend.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk i sqaroi rrethanat e arratisjes. Ajo bëri me dije se Ndoci ishte shoqëruar në spital nga strukturat e burgjeve dhe se arratisja ka ndodhur brenda godinës së përshtatur për trajtimin e të burgosurve. “Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit”, thuhet në njoftimin e DPB.


