Grupi i avokatëve mbrojtës të ish-presidentit Ilir Meta, njëkohësisht kryetar i partisë së Lirisë, i arrestuar dhe paraburgosur prej 21 tetorit 2024 dhe nën hetim e proces gjyqësor për pasurinë, lobimin në SHBA dhe dosjen CEZ-DIA, dolën sot para mediave për të shpjeguar standardet e dyfishta të ndjekura për hetimet dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paprecedentë dhe të paligjshme të tij.
Mbrojtësi Gylsen Zhllima shpjegoi se në dosje nuk ka snjë provë që e lidh Metën me akuzat që ka ngritur prokuroria, as për pasurinë dhe as për CEZ-DIA.
Ai shpjegoi se në asnjë pjesë të dosjes me 1706 faqe nuk përmendet lidhja direkte e Metës me biznesmenin Kastriot Ismaili, por çështja është fryrë qëllimisht për të ngatërruar dhe lodhur avokatët.
“Janë 1706 faqe për rastin e borxheve të CEZ-DIA hetimet, ka brenda emra që nuk kanë asnjë lidhje me zotin Meta. Nuk kanë as procedim penal dhe as hetim, por thjesht për të qenë brenda, pra janë aty për të thënë se ja, ka volum dosja, e të na lodhi ne si mbrojtje për ta studiuar. Por ne nuk jemi lodhur dhe e kemi gjetur bashkë me zotin Cakrani. Dhe këtu kemi vendimin ndaj Kastriot Ismailit në Gjykatën e Lartë ku nuk përmendet në asnjë vend dhe aq më tepër të akuzohet për korrupsion pasiv apo aktiv. Ky është korrupsion imagjinar, nuk ka asnjë provë. Thjesht bëhet një lidhje indirekte për njohje me të”, tha ai.
Zhllima këmbëngulu se organi i akuzës nuk ka asnjë provë dhe sot e kësaj dite nuk kanë marrë asnjë përgjigje për kërkesat e tyre në lidhje me këtë çështje. Gjithashtu ngriti dyshimet për paradoksin se si për një çështje me shumë persona, në paraburgim qëndron vetëm Ilir Meta.
“Por në cilën faqe Prokuroria e mbështet provën ndaj zotit Meta. Edhe pas kërkesave tona, pas shumë seancash, ende nuk kemi një përgjigje nga Prokuroria dhe as nuk ka reaguar. Në aspektin juridik, prokuroria ka shkelur nenin 27, ku kërkohet pezullimi i afateve ndaj zotit meta për çështjen e pasurisë. Por nuk mundet vetëm një individ të jetë në arrest në burg për këtë çështje dhe të tjerët në lidhje me çështjen të lëvizin lirshëm nëpër rrugë e qytete e të jenë pa asnjë masë. Kjo nuk shkon, të jetë vetëm një njeri”, vijoi ai.
Avokati Zhllima hodhi dyshime edhe ndaj Gjykatës së Posaçme, duke thënë se çuditërisht në dosjet e dy liderëve të opozitës është i njëjti gjyqtar në seanca paraprake, Irena Gjoka.
“Dhe çuditërisht edhe në këtë dosje të seancës paraprake shorti e ka bërë që të jetë pikërisht gjyqtarja Irena Gjoka, sikurse te dosja e zotit Sali Berisha. Si ka mundësi kjo? I njëjti gjyqtar! Për më tepër kur ndaj saj ka një denoncim dhe kallëzim penal. Kjo për gjyqtaren në seancën paraprake. Por kjo ndodh edhe me gjyqtaren e rastit për pezullimin e afateve të paraburgimit”, nënvizoi mbrojtësi ligjor.


