Eugen Cakolli, nag KDI ka folur për procesin e rinumërimit të votave që po zhvillohet në 914 vendvotime
Cakolli ka vlerësuar se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për rinumërimin e votave është një hap i rëndësishëm, duke theksuar se ky proces tregon se një nga hallkat kyçe të procesit zgjedhor ka dështuar.
“Në radhë të parë, ne vlerësojmë se vendimmarrja e KQZ-së për rinumërimin e votave është jashtëzakonisht e rëndësishme, pasi është indikator i qartë se ka dështuar një prej hallkave kyçe të procesit zgjedhor. Edhe pse aktualisht nuk ka dyshime mbi saktësinë e rezultateve për subjektet politike, ne besojmë se votat për kandidatët janë po aq të rëndësishme sa votat për partitë”, ka deklaruar Cakolli.
Ai ka theksuar se votat preferenciale janë vendimtare për përfaqësimin e qytetarëve në Kuvendin e Kosovës.
“Bëhet fjalë për vota që përcaktojnë se kush do t’i përfaqësojë qytetarët në Kuvend, andaj ato duhet të trajtohen me të njëjtën seriozitet si votat për subjektet politike”, ka shtuar ai.
Cakolli ka bërë të ditur se deri më tani, në rreth 2 për qind të vendvotimeve të rinumëruara janë konstatuar probleme serioze.
“Rreth 2 për qind e rinumërimeve që janë përfunduar deri më tani kanë shfaqur probleme serioze. Në disa komuna, fillimisht në rreth 25 prej tyre, dallimet mes votave të kandidatëve të dy subjekteve politike shkojnë në qindra vota”, ka thënë ai.
Ai ka përmendur edhe raste konkrete, veçanërisht në Komunën e Prizrenit, ku sipas tij dallimet janë alarmante dhe nuk mund të konsiderohen si gabime njerëzore.
“Në disa komuna të Prizrenit, vetëm në dy vendvotime kemi dallime mbi 700 vota për kandidatët e një subjekti politik. Kjo nuk mund të jetë gabim njerëzor, por është indikacion i qartë i manipulimit nga ana e komisionerëve. Po flasim për një manipulim industrial të rezultateve”, ka theksuar Cakolli.
Ai ka shtuar se në disa raste, partive politike u janë regjistruar deri në 100 vota më pak për kandidatë të caktuar, krahasuar me numrin real të votave të fituara. /Teve1


