Në prag të takimit të liderëve politikë të paralajmëruar për nesër nga kryeministri Hristijan Mickoski, sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët(ASH), Blerant Ramadani ka dalë me një qëndrim lidhur me çështjen e qeverisë teknike.
“Në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, dua të theksoj se Aleanca për Shqiptarët e sheh me maturi çdo përpjekje për ta shndërruar çështjen e “qeverisë teknike” në temë presioni apo kalkulimi politik. Ky mekanizëm është i përcaktuar qartë me ligj dhe lidhet drejtpërdrejt me afatet zgjedhore dhe funksionimin normal të institucioneve të shtetit.
Qeveria teknike ndërtohet përmes respektimit të rendit kushtetues dhe procedurave ligjore. Çdo angazhim eventual i Aleancës për Shqiptarët në formate të tilla do të bëhet në koordinim të plotë brenda koalicionit AKI.
Ne mbesim të hapur për dialog dhe komunikim, por gjithmonë mbi parime të qarta: ligjshmëri, barazi ndërmjet palëve dhe respekt për institucionet. Vetëm kështu ruhet serioziteti politik dhe besimi i qytetarëve”, shkruan Ramadani.


