Gjykata Themelore Penale në Shkup informon se debati kryesor për rastin për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, të caktuar për nesër, shtyhet me kërkesë të mbrojtëses së një të akuzuari, avokatja Suzana Joshevska Anastasovska.
Kërkesa, siç informojnë nga Gjykata Penale, është për arsye se gjatë ditës së djeshme mbrojtësja është zgjedhur anëtare e Këshillit Gjyqësor, dhe për shkak të plotësimit të së drejtës për angazhim të avokatit të ri dhe njohjes së tij me rastin, debati i nesërm revokohet, ndërsa gjykimi vazhdon në terminin e ardhshëm, të konfirmuar, më 26 janar të këtij viti.
Suzana Joshevska Anastasovska është mbrojtëse e ish drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Adnan Xhaferovski.
Avokatja Suzana Joshevska Anastasovska, së bashku me profesoreshën inordinare Arlinda Kadri-Shahinoviq, dje në Kuvend u zgjodhën anëtare të këshillit Gjyqësor me propozim të presidentes Gordana Siljanovska Davkova.
Gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan, është në procedurë të provave dhe duhej të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve përfaqësues ligjor të të dëmtuarve.
Të gjithë 35 të akuzuarit në fillim të gjykimit thanë se nuk ndjehen fajtorë për tragjedinë. Disa prej tyre shprehën keqardhje ndaj familjeve të viktimave, por mbetën në qëndrimin se nuk kanë kryer vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.
Në fillim të procesit, në fjalën hyrëse, prokurori Borçe Janev tha se gjykimi është një hap drejt vërtetimit të përgjegjësisë personale dhe institucionale duke theksuar se shoqëria duhet të përballet me të vërtetën – kush lejoi, kush heshti dhe nuk parandaloi të ndodhë tragjedia në “Puls”. Ai tha se nuk është e rëndësishme vetëm kush e vuri zjarrin, por edhe kush pati mundësi ta parandalojë, duke theksuar se tragjedia nuk është rezultat vetëm i piroteknikës, por edhe i lëshimeve sistematike shumëvjeçare, heshtjes institucionale dhe mungesës së kontrollit, që e shndërruan diskotekën në një kurth vdekjeprurës.
Janev theksoi se kërkohet drejtësi, jo si hakmarrje, por si pasojë e paligjshmërisë dhe detyrës së lënë pas dore. Shumica e të akuzuarve përmes avokatëve të tyre kontestuan bazën e aktakuzës. Avokatët e tyre pohojnë se të pandehurit nuk kanë ndërmarrë veprime që mund të çojnë në zjarr, se kanë poseduar dokumentacion valid dhe se tragjedia është rezultat i lëshimeve institucionale, ndërsa jo faj individual. Mbrojtja njoftoi paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve, që, sipas tyre, do ta konfirmojnë këtë tezë.
Në fjalën hyrëse mbrojtja e të akuzuarit të parë pronar i diskotekës “Puls”, Dejan Jovanov, tha se edhe pas nëntë muajsh paraburgim, nuk mund të besojë në tragjedinë dhe se si prind asnjëherë nuk do të lejonte kushte të pasigurta në klub. Djali i tij, i akuzuari i tretë, Mihail Jovanov, përmes mbrojtjes pohoi se kundër tij nuk ka asnjë dëshmi dhe se është akuzuar vetëm sepse është anëtar i familjes Jovanovi.


