Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në intervistën e tij në TV 24, u ndal te nevoja për miratimin e një ligji të ri për mbrojtje nga duhani.
“Ligjet vetë nuk mund të jenë cilësorë dhe të japin rezultate nëse nuk ekziston një ekosistem i tërë. Ligji përcakton një kornizë dhe rregulla të rrepta për përmirësimin e ekosistemit në një segment të caktuar. Por nëse nuk kemi indikatorë shtesë për matjen dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit, atëherë do të kemi vetëm një ligj në letër. Prandaj, fatkeqësisht, ligjet ekzistuese deri më tani nuk kanë dhënë rezultate. Ne fillimisht bëmë një analizë të thellë të gjendjes aktuale, e cila tregoi se rreth 50% e popullsisë tek ne janë të varur nga cigaret dhe pinë rreth 18–22 cigare në ditë, që do të thotë se në vendin tonë ka dyfish më shumë duhanpirës krahasuar me standardet evropiane. Kjo është alarmante, sidomos duke pasur parasysh se ka duhanpirës të moshave shumë të reja: në moshën 13–14 vjeç ka 7.7% duhanpirës aktivë, në moshën 15–16 vjeç rreth 37%, ndërsa përdorues të cigareve elektronike janë rreth 40%”, theksoi ministri Aliu.
Ai nënvizoi se ligji nuk është kundër duhanpirësve, por qëllimi i tij është t’i mbrojë ata, të cilët përbëjnë rreth 50% të popullsisë, dhe t’i ndihmojë që të heqin dorë nga pirja e duhanit.
“Imagjinoni një qytetar që punon në një lokal ku lejohet pirja e duhanit brenda. Ai, pavarësisht nëse dëshiron apo jo, është i ekspozuar pasivisht ndaj tymit të cigareve tetë orë në ditë dhe në fund të ditës është një duhanpirës pasiv. Kam biseduar me mjekë që thonë se shpesh ka raste të sëmundjeve kardiovaskulare kur pacientët deklarojnë se vetë nuk janë duhanpirës, por në shtëpi kanë anëtarë të familjes që pinë duhan në ambiente të mbyllura. Kjo do të thotë se edhe duhanpirësit pasivë janë në rrezik kur duhanpirësit aktivë pinë në hapësira të mbyllura. Qëllimi ynë si shtet është t’i mbrojmë qytetarët”, shtoi ministri.


