Analisti politik Nexhmedin Spahiu ka deklaruar se Vjosa Osmani nuk duhet të rizgjidhet presidente e Kosovës, duke vlerësuar se ajo nuk ka treguar performancë që do ta justifikonte një mandat të dytë.
Spahiu komentoi edhe deklaratat e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka përmendur mundësinë e një marrëveshjeje politike për një kandidat konsensual për president, duke lënë të kuptohet se ai nuk do të qëndrojë në sallë në rast se Vjosa Osmani propozohet sërish për këtë post.
Sipas Spahiut, përzgjedhja e presidentit përmes marrëveshjeve ndërpartiake ka mangësi serioze.
“Unë besoj që edhe është e nevojshme të ketë një president konsensual, por problemi i zgjedhjes konsensuale është se zakonisht liderët politikë zgjedhin dikë që është më i dobët se ata vetë, e jo më të fortë. Kjo bën që presidenti të mos jetë aq i aftë për ta kryer siç duhet funksionin e tij”, ka thënë Spahiu.
Ai ka shtuar se nuk është për zgjedhjen e presidentit nga Kuvendi, pasi kjo formë, sipas tij, prodhon ose bllokada politike ose presidentë të dobët.
“Unë nuk jam që presidenti të zgjidhet në këtë mënyrë nga Parlamenti. Ose nuk zgjidhet fare për shkak të problemeve politike, ose zgjidhet një figurë e dobët. Më e mira do të ishte që presidenti të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë nga populli, në dy raunde, ku qytetarët vendosin vetë”, ka theksuar ai.
Sa i përket Vjosa Osmanit, Spahiu ka qenë i drejtpërdrejtë në vlerësimin e tij.
“Unë mendoj se Vjosa Osmani nuk duhet të rizgjidhet presidente, sepse nuk ka treguar diçka që do ta meritonte një mandat të dytë. A do ta propozojë Albin Kurti dhe a do ta mbështesin partitë opozitare, mbetet të shihet, por sipas meje ajo nuk e meriton të rizgjidhet presidente e Kosovës”, ka përfunduar Spahiu.


