Ish-prokurori Eugen Beci ka komentuar pjesëmarrjen e të Ngarkuarës me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn, në një aktivitet ku ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila aktualisht ka statusin e të pandehurës.
I ftuar në emisionin “Studio24”, Beci theksoi se marrja zyrtarisht e Ballukut si e pandehur ka një rëndësi të veçantë në raport me standardet e marrëdhënieve të autoriteteve amerikane me zyrtarët shqiptarë. Sipas tij, SHBA njohin dhe respektojnë institucionet shtetërore shqiptare, por praktikat e tyre nuk lejojnë kontakte zyrtare me persona që janë nën hetim penal.
“Nëse Balluku është e pandehur, atëherë autoritetet amerikane nuk duhet të kenë kontakt me të. Nëse nesër ka të pandehur edhe në nivele më të larta, edhe ata nuk do të takohen nga autoritetet e SHBA-së”, u shpreh ish-prokurori.
Beci u ndal edhe te roli i SPAK, duke deklaruar se kjo strukturë pritet të thellojë hetimet mbi atë që administrata amerikane e ka cilësuar si “narkoterrorizëm”, një term që lidhet me ndërthurjen e krimit të organizuar me politikën.
Sipas tij, hetimet dhe rezultatet e deritanishme të SPAK kanë treguar se grupe të krimit të organizuar kanë ndikuar në zgjedhjen e disa deputetëve, të cilët më pas, sipas Becit, kanë favorizuar këto grupe në trafikun e paligjshëm dhe në afera korruptive, duke “kthyer borxhin” politik.


