Pas lajmit të publikuar një ditë më parë për tre fëmijët në Durrës, Drejtoria e Shërbimit Social pranë Bashkisë së Durrësit ka reaguar zyrtarisht duke bërë me dije se ka përfunduar mbledhja e Grupit Teknik Ndërsektorial.
Në këtë mbledhje morën pjesë përfaqësues të Shërbimit Social, organizata joqeveritare, Policia, Shëndetësia dhe institucione të tjera përkatëse, ku u diskutua rreth ndërhyrjes së menjëhershme në ndihmë të tre fëmijëve dhe nënës së tyre, Blerina Basha.
Sipas drejtoreshës së Shërbimit Social, Diola Xhango, u vendos që fëmijët të ndihmohen urgjentisht me veshmbathje dhe të gjitha medikamentet e nevojshme për trajtimin e sëmundjes së tyre, ndërkohë që banesa do t’i nënshtrohet pastrimit dhe dezinfektimit. Këto ndërhyrje do të financohen nga organizatat ARSIS dhe World Vision.
Ndërkohë, familja do të ndihmohet për të kryer procedurat e zhvendosjes së regjistrimit civil, pasi aktualisht rezultojnë të regjistruar në Vau i Dejës dhe me dokumente si banorë të Malësisë së Madhe. Pas regjistrimit si banorë të Durrësit, Bashkia do t’i përfshijë në listën e familjeve që do të strehohen në banesa sociale.
Për nënën, nëpërmjet Zyrës së Punës, do të ofrohet një punë me orar 8-orësh, në mënyrë që të mos detyrohet të punojë 16 orë në ditë dhe të ketë më shumë kohë për mirërritjen e fëmijëve. Po ashtu, ajo do të përfshihet në kurse prindërimi për të përmirësuar kujdesin ndaj tyre.
Shërbimi Social do të kryejë kontrolle dhe mbikëqyrje të përditshme për mbarëvajtjen e familjes. Nëna do të jetë në një periudhë prove për të vlerësuar aftësinë e saj për të mbajtur kujdestarinë e fëmijëve.
Njoftimi:
Drejtoria e Shërbimit Social pranë Bashkisë së Durrësit nëpërmjet drejtoreshës së saj Diola Xhango bën me dije se pak më parë ka përfunduar mbledhja e GTN(Grupi Teknik Ndërsektorial)ku bëjnë pjesë: vetë shërbimisocial OJQ,Policia,Shëndetësia etj.lidhur me ndihmën për 3 fëmijët dhe nënën e tyre Blerina Basha.
U vendos që menjëherë tu vihet në ndihmë atyre duke i dërguar urgjent në spital të 3 fëmijëve veshmbathje,të gjitha medikamentet për trajtimin e sëmundjes.Do të bëhet pastrimi dhe dezinfektimi i banesës.Këto i morën përsipër ti financojnë ARSIS dhe World Vision.
Ndërkohë familja do të ndihmohet që ta zhvendosë regjistrimin nga Vau i Dejës(pasi me letra janë banorë të Malsisë së Madhe) dhe të regjistrohen si banorë të Durrësit.Duke u bërë banorë të Durrësit,bashkia do ta regjistrojë në listën e atyre që do të strehohen në banesa sociale.
Nënës,nëpërmjet Zyrës së Punës,do ti ofrohet sërish një punë dinjitoze në mënyrë që të mos punojë 16 orë sikundër pretendon por 8 orë në mënyrë që të mirërrisë fëmijët e saj.Nënës gjithashtu do ti ofrohen kurse prindërimi në funksion të mirërritjes së fëmijëve.Për çdo ditë do të kryhen kontrolle mbikqyrje nga shërbimi për mbarëvajtjen e familjes.Pra ajo do të jetë në provë për të parë nëse është e aftë të mbajë kujdestarinë ndaj fëmijëve apo jo.


