Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kërkon me domosdoshmëri që avokatit Fehmi Stafa t’i vazhdohet paraburgimi edhe për 30 ditë të reja, lidhur me lëndën ku është kapur në flagrancë duke marrë ryshfet për të ndikuar te një gjykatës i apelit për t’ia hequr masën e paraburgimit të dyshuarit në rastin “Zinxhiri”, Lupço Pecov.
“Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit tanimë ka dorëzuar kërkesë për vazhdimin e masës së paraburgimit për personin që tregoni interes në të cilën kërkesë janë të sqaruara arsyet për domosdoshmërinë për vazhdimin”, thonë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar.
Nga Gjykata Penale e Shkupit konfirmojnë për Alsat se po veprohet ndaj kërkesës së Prokurorisë. Gjatë ditës pritet që të merret vendit, ndërsa për epilogun do të njoftohet opinioni gjatë ditës së nesërme.
Sipas hetimit të Prokurorisë, prej tetorit deri më 13 dhjetor të vitit 2025 Stafa ka pranuar gjithsej 50 mijë euro që të ndërmjetësojë te gjykatësi i Apelit, i cili nuk është i përfshirë në hetim. Fillimisht, Stafa ka kërkuar 100 mijë euro për shërbimin. Fillimisht ka marrë 30 mijë euro nga motra e të dyshuarit, ndërsa Stafa ka kërkuar më pas edhe 20 mijë euro të tjera për ta korruptuar gjyqtarin. Sapo i janë dorëzuar 20 mijë eurot, Stafa është arrestuar nga zyrtarët policorë, gjatë së cilës i janë gjetur paratë dhe i janë marrë.
Stafa i cili paraprakisht për katër vite ushtroi detyrën e Avokatit të Shtetit do të mbahet mend për disa lëndë të cilat bënë bujë të madhe në opinion. Emri i tij u lidh me rastin “Trust” të Prokurorisë Speciale. Dyshimet ishin se i akuzuari Sead Koçan është toleruar ta shesë pronën e kompanisë, ndërsa Prokuroria hetonte për sjelljen pasive të Avokatit të Shtetit Stafa. Ai hodhi fajin te prokurorët e Vilma Ruskoskës, Artan Ajro dhe Gavrill Bubevski, megjithatë ata demantuan duke theksuar që Avokati i Shtetit, e ka për detyrë të mbrojë interesat pronësore të shtetit. Lidhur me këtë lëndë, Stafa dorëzoi padi penale edhe kundër ish drejtorit të Policisë Financiare, Arafat Muaremi, i cili paraprakisht kishte qenë hetues në Prokurorinë Speciale. Padia, ishte dorëzuar tre ditë pasi Muaremi kishte dorëzuar në Prokurori njoftimin për parregullsi nga ana e Avokatisë së Shtetit për procesin e falimentimit të kompanisë së Koçanit. Bujë të madhe bëri edhe angazhimi i prezantueses Besmira Ejupi në Avokatinë e Shtetit, për çka hapi lëndë edhe Antikorrupsioni.
Në qershor të vitit 2022, Antikorrupsioni doli me konstatim se Ejupi kishte marrë mbi 4 mijë euro honorarë për një vend pune në të cilin ka pasur të punësuar. Dy muaj më vonë, Stafa ndonëse në opinion tha që po jep dorëheqje nga detyra, realisht ai u shkarkua nga Qeveria për punë joprofesionale. /Alsat.mk


