Vetëm 3 metra dhe liqeni i Fierzës arrin kuotën maksimale prej 296 metrave.
Sipas të dhënave nga HEC-i i Fierzës, prurjet aktualisht janë 900 metër kub ujë në sekondë, ndërsa kuota aktuale 292.7 metra mbi nivelin e detit.
Vetëm në 24 orët e fundit liqeni është rritur me 2 metra, kjo për shkak të prurjeve të shumta si rezultat i reshjeve të shiut dhe dëborës gjatë javës së kaluar.
Nëse prurjet do të vijojnë me të njëjtin ritëm pritet që brenda dy ditëve liqeni i Fierzës të arrijë kuotën maksimale, duke nënkuptuar balancimin e sasisë së prurjeve me ato të shkarkimit përmes turbinave, por edhe shkarkimet anësore.
Hidrocentrali i Fierzës punon me kapacitet të alternuar për prodhimin e energjisë.
Duke parë sasinë e prurjeve që vjen në liqenin e Fierzës, me 900 metër kub ujë në sekondë, hidrocentrali duhet të prodhojë energji elektrike me kapacitet të plotë në katër turbinat, nga të cilat shkarkohen në total 600 metër kub ujë në sekondë.
Pjesa tjetër e tepricave nga prurjet prej 300 metër kub ujë në sekondë, shfrytëzohen për rezervën ujore por për të ruajtur balancën Fierza duhet të shkarkoje një sasi uji nga portat e shkarkimit.


