Një 45-vjear nga Dimali është kapur teksa tentonte arratisjen nga Shqipëria, edhe pse ishte me masë sigurie nga Gjykata e Beratit.
N.H., nga fshati Cukalat, ishte nën arrest shtëpiak për shkak të akuzave për mbajtje droge dhe futja e sendeve të ndaluara në ambientet e burgut. Ai u kap duke u larguar nga Pika Kufitare e Hanit të Hotit, në Shkodër.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kuçovë bënë ndalimin e shtetasit N. H., 45 vjeç, banues në fshatin Cukalat, Dimal. Ky shtetas ishte i vendosur me masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP)”, bëri me dije policia vendore për rastin.
Ndalimi u krye pasi shërbimet policore e kapën në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, duke tentuar të largohej nga territori i Republikës së Shqipërisë, në kundërshtim të plotë me masën e sigurisë së vendosur ndaj tij.
“Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi N. H. u ndalua dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme”, sqaron policia.


