Qarku i Elbasanit është përfshirë nga kushte të motit të ftohtë, të shoqëruara me temperatura shumë të ulëta, veçanërisht në zonat malore, ku termometri ka zbritur nën –10 gradë Celsius. Në disa akse rrugore malore, temperaturat kanë arritur deri në –15 gradë Celsius, duke kërkuar ndërhyrje të vazhdueshme për garantimin e qarkullimit normal të mjeteve.
Në aksin nacional Elbasan–Qafë Thanë janë regjistruar reshje dëbore, por rruga është pastruar dhe trajtuar me kripë, duke qenë e hapur për qarkullim. Ndërkohë, në akset Elbasan–Gjinar dhe Elbasan–Tiranë (aksi i vjetër nga Krraba) nuk ka pasur prezencë dëbore, ndërsa kriposja ka vijuar në pikat problematike për të shmangur ngricat.
Sa i përket furnizimit me energji elektrike, problematika janë evidentuar në fidrin që furnizon Njësinë Administrative Tunjë, si dhe zonat Kushovë e Skënderbegas të bashkisë Gramsh. Sipas njoftimeve zyrtare, defektet janë në proces riparimi dhe pritet të zgjidhen në orët në vijim.


