Një ngjarje e rëndë dhune është denoncuar në fshatin Vjosë të Fierit, ku një emigrant i kthyer nga Gjermania pretendon se është rrahur brutalisht nga disa persona, mes të cilëve edhe një efektiv i Policisë së Fierit. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 23:00, në pragun e banesës së viktimës.
Altin Meçaj, 46 vjeç, në një deklaratë për mediat, ka akuzuar bashkëfshatarin e tij, Fredi Lamaj, punonjës i policisë, si personin që e ka goditur, duke theksuar se dhuna ka ardhur pas një komenti që ai i kishte bërë në rrjetin social Facebook motrës së këtij të fundit.
Sipas Meçajt, ndërsa ndodhej në një lokal të fshatit, ai ka marrë një mesazh kërcënues nga Lamaj me tekstin: “Nuk e di me kë je mpleksur”. Pasi është kthyer në shtëpi, ai tregon se janë fikur dritat vetëm në banesën e tij dhe më pas është thirrur me emër nga jashtë.
“Kur dola te porta e shtëpisë, më goditën menjëherë. Ishin të paktën tre persona. Më rrëzuan përtokë dhe humba ndjenjat. Personin që akuzoj e kam njohur vetëm nga zëri,” ka deklaruar Meçaj.
Në përpjekje për ta shpëtuar, ka ndërhyrë babai i tij, 76-vjeçari Ylli Meçaj, i cili po ashtu është dhunuar rëndë. Të dy janë transportuar në urgjencën e spitalit rajonal të Fierit, ku po marrin ndihmë mjekësore. Babai ka pësuar çarje në kokë dhe dëmtime të tjera nga goditjet.
Altin Meçaj thekson se konflikti është i pakuptimtë dhe se komenti në Facebook ishte thjesht një kompliment. “Nëse ishte keqkuptim, mund të ishte sqaruar me fjalë. Nuk kishte asnjë arsye të përfundonim në spital unë dhe babai im,” u shpreh ai, duke kërkuar drejtësi dhe garanci që ngjarja të mos përsëritet.
Edhe babai i tij, Ylli Meçaj, ka rrëfyer momentet e dhunës, duke thënë se gjeti djalin pa ndjenja në tokë dhe se po goditej me shqelma. “U hodha mbi djalin për ta mbrojtur dhe më goditën edhe mua. U mbusha në gjak. Po të mos kisha dalë, djali im sot mund të mos ishte gjallë,” tha ai me lot në sy, duke kërkuar drejtësi dhe siguri për familjen.
Deri në këto momente, Policia e Shtetit nuk ka dhënë një reagim zyrtar për ngjarjen. Sipas burimeve, çështja i ka kaluar për hetim Agjencisë për Mbikëqyrjen Policore (AMP), për shkak se një nga personat e denoncuar është efektiv policie. Hetimet pritet të zbardhin rrethanat dhe përgjegjësit e kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur komunitetin lokal.


