Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënimet e të cilit të ripërtërira për të sekuestruar Grenlandën nga Danimarka, anëtare e NATO-s, kanë tronditur aleancën transatlantike, tha të mërkurën se dyshonte nëse aleatët “do të ishin aty për ne nëse do të kishim vërtet nevojë për ta”.
“Ne do të jemi gjithmonë aty për NATO-n, edhe nëse ata nuk do të jenë aty për ne”, shkroi ai në platformën e tij Truth Social.
Një deklaratë e tillë vjen një ditë pasi Shtëpia e Bardhë tha se nuk e përjashtonte ndërhyrjen ushtarake për të marrë Grenlandën.
Në postimin e tij, Trump përsëriti pohimin e tij të shpeshtë se shumë anëtarë të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut nuk kishin arritur të përmbushnin angazhimet e shpenzimeve ushtarake derisa ai ndërhyri.
“SHBA-të, pa mend, po paguanin për ta! Unë, me respekt, i çova në 5% të PBB, DHE ATA PAGUAN, menjëherë”, shkroi ai.
Por udhëheqësi i SHBA-së shtoi se vendet anëtare të NATO-s janë “të gjitha miqtë e mi”.
Trump, i cili e ka paraqitur veten si një paqebërës global, preku gjithashtu një ankesë personale.
“Unë i vetëm i dhashë fund 8 luftërave, dhe Norvegjia, një anëtare e NATO-s, zgjodhi budallallëkisht të mos më jepte Çmimin Noble për Paqen”, tha ai, duke shkruar gabim emrin e çmimit prestigjioz që në vend të tij i shkoi udhëheqëses së opozitës venezueliane, Maria Corina Machado.
Trump përfundoi duke thënë se Rusia dhe Kina nuk kanë “frikë zero nga NATO” pa Shtetet e Bashkuara si pjesë të aleancës.
Planet e Trump mbi territorin danez të Groenlandës, të pasur me minerale dhe vetëqeverisëse, kanë ndezur kambanat e alarmit midis anëtarëve evropianë të NATO-s, të cilët e shohin një veprim të tillë si një kërcënim ekzistencial për aleancën. /Telegrafi/


