Kryetari i komunës së Çairit dhe njëherit njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti ka njoftuar se sot, së bashku me Bekimin dhe Arbenin, ka takuar banorët e komunës së Vrapçishtit, ku koalicioni VLEN shpreh mbështetje të plotë për kandidatin e pavarur për kryetar komune, Zulhajrat Demiri.
Gjatë takimit janë diskutuar nevojat reale të qytetarëve, sfidat me të cilat përballen banorët e kësaj komune, si dhe mundësitë për mbështetje nga pushteti lokal dhe ai qendror. Sipas Mexhitit, Vrapçishti ka nevojë për një drejtim serioz, projekte konkrete dhe një udhëheqje që prodhon rezultate.
Ai ka theksuar se mbështetja për Demirin vjen si rezultat i vizionit dhe angazhimit të tij për zhvillimin e komunës dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët.
Mexhiti ka vlerësuar se gara e 11 janarit është vendimtare për të ardhmen e Vrapçishtit, duke shtuar se ndryshimi i shumëpritur mund të arrihet përmes punës së ndershme, projekteve zhvillimore dhe rezultateve të dukshme për çdo familje.


