Nataliteti vazhdon të mbetet i lartë në vendbanimet shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kështu thuhet në raportin vjetor të Entit Shtetëror të Statistikave. Sipas raportit, rritje pozitive natyrore është shënuar vetëm në Rajonin e Shkupit, ndërsa në rajonet e tjera të vendit numri i vdekjeve ka tejkaluar ndjeshëm numrin e lindjeve.
Haraçina rezulton komuna me natalitetin më të lartë në nivel shtetëror. Pas saj renditen Studeniçani, Saraji, Likova dhe disa komuna të tjera me shumicë shqiptare.
ENTI SHTETËROR I STATISTIKAVE
Rritje pozitive pati vetëm në rajonin e Shkupit, kryesisht në Saraj (+8.4), Çair (+5.5), Haraçinë (+10.5), Studeniçan (+9.7), Likovë (+6.2) Zelenikovë (+5.3) dhe Shuto Orizare (+5.2 për 1.000 banorë). Rënia më e madhe ishte në Novo Sellë (-14.8) dhe Novac (-13.7). Numri i martesave vitin e kaluar u ul për 1.600, dhe divorcet u rritën për 259. Numri më i lartë i divorceve për 1.000 martesa ishte në rajonet e Vardarit, Lindjes dhe Juglindjes – mbi 200.
Sipas të dhënave, më pak shkurorëzime për 1.000 banorë janë regjistruar në Vevçan dhe Qendër Zhupë, si dhe në komunat Sopishtë, Likovë, Haraçinë, Saraj dhe Pehçevë.
Të dhënat për natalitetin i kanë pëlqyer kreut të Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri. Në një reagim i pari i Haraçinës ka potencuar se ky është treguesi më i mirë në nivel shtetëror dhe dëshmi se Haraçina është një nga komunat më vitale dhe me perspektivë.
DAUT BEQIRI, KRYETAR I KOMUNËS SË HARAÇINËS
“Në një kohë kur shumica e komunave përballen me rënie të popullsisë, Haraçina dallohet si shembull pozitiv falë familjeve të reja, komunitetit të fortë dhe vlerave që ruhen ndër breza. Si kryetar i komunës, qëllimi im është ta mbështes këtë potencial dhe ta zhvillojmë edhe më tej Haraçinën, në interes të të gjithë qytetarëve dhe të ardhmes sonë të përbashkët.”
Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë se, ndonëse vendi përballet me rënie demografike, disa komuna shqiptare vazhdojnë të mbeten ndër më vitalet në vend.
Mevludin Imeri /SHENJA/


