Afrimi i datës së zgjedhjeve intensifikon edhe më shumë aktivitetet e kandidatëve për kryetar komunash në terren. Kësisoj, me moton, “me Gostivarin në zemër”, kandidati i AKI-së, Valbon Limani ka deklaruar se gjatë 15 muajve të mandatit kanë dëshmuar se me punë, vullnet dhe integritet, rezultatet janë të prekshme.
Ai gjatë një konference për media, tha se tanisynojnë një kapitull të ri për qytetin e Gostivarit, të bazuar në projekte konkrete që përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve.
VALBON LIMANI, KANDIDAT I AKI PËR GOSTIVARIN
“Një nga projektet më të rëndësishme është ndërtimi i urës së re mbi lumin Vardar, të quajtur “Ura e Harmonisë”. Të gjitha procedurat administrative dhe ligjore për këtë projekt kanë përfunduar dhe në pranverë nisin punimet. Ura do të ketë katër korsi për automjete, shtigje për biçikleta dhe trotuare të sigurta për këmbësorë. Ajo do të lidhë lagjet e qytetit, do të lehtësojë komunikacionin dhe do të japë shtysë reale zhvillimit ekonomik të Gostivarit”.
Për dallim nga Limani, kandidati i VLEN për Komunën e Gostivarit, Nevzat Bejta ka takuar qytetarët dhe i ka njoftuar ata me programin e tij për katër vjeçarin e ardhëshëm po edhe projektet që do ti realizojë në rast se ai vjen në krye të komunës.
Ndërkaq, kandidati i pavarur për Komunën e Vrapçishtit, Zulhajrat Demiri, i mbështetur nga koalicioni VLEN dhe ASH-ja e Ziadin Selës ka takuar mbrëmë banorët e fshatit Gradec dhe Senakos.
Në njoftim pas takimit, Demiri ka thënë se ka vizituar këto dy vendbanime dhe ka dëgjuar hallin me të cilët banorët përballen në përditshmëri. Ka treguar edhe mesazhin që ka marrë nga ky takim.
ZULHAJRAT DEMIRI – KANDIDAT PËR KOMUNËN E VRAPÇISHTIT
“Në çdo cep të Vrapçishtit marrim të njejtin mesazh, boll më stagnim dhe keqpërdorime në kurriz të banorëve. Vrapçishti do zhvillim, infrastrukturë dhe mirëqenie. Këtë të ardhme do ta shkruajmë bashkërisht më 11 janar”.
Nga ana tjetër, kundërkandidati i Demirit, Isen Shabani i mbështetur nga AKI-ja ka njoftuar se gjithashtu mbrëmë ka zhvilluar një takim të jashtëzakonshëm me banorët e Vrapçishtit. Pas takimit ai ka njoftuar se mbështetja dhe besimi i madh që qytetarët tregojnë janë forcë drejt fitores së madhe.
Përveç Gostivarit dhe Vrapçishtit, zgjedhje të përsëritura në 11 janar do të ketë edhe në Qendër Zhupë dhe në Mavrovë dhe Rostushë ku gjithashtu njëjtë sikurse në Gostivar dhe Vrapçishtë zgjedhjet e tetorit dështuan për shkak të mos arritjes së cenzusit zgjedhorë.
Mevludin Imeri /SHENJA/


