Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski sot njoftoi se është marrë vendim të blihen lokomotiva të reja elektrike në vlerë prej 21 milionë eurosh.
“Jemi veçanërisht të kënaqur të njoftojmë investimet në transportin hekurudhor në vlerë prej 21 milionë eurosh, të destinuara për blerjen e deri në pesë lokomotivave të reja elektrike, së bashku me pjesët e nevojshme rezervë.
Ky investim do të realizohet nëpërmjet një Marrëveshjeje Huaje midis HM Transport dhe BERZH-it, dhe u parapri nga një analizë e plotë e nevojave reale, funksionalitetit dhe operueshmërisë së HM Transport – një analizë që tregoi qartë se pa lokomotiva moderne dhe funksionale, hekurudha nuk mund ta përmbushë rolin e saj ekonomik.
Dhe duhet të themi sinqerisht se situata që trashëguam ishte katastrofike.
Deri vonë, HM Transport nuk kishte asnjë lokomotivë plotësisht funksionale. Më shumë se njëzet trena ndërkombëtarë mallrash u ndalën në Gjevgjeli, pa mundësinë e transportimit të ngarkesës në tregjet evropiane. Kjo do të thoshte humbje kontratash, humbje të ardhurash dhe humbje besimi.
Por gjërat filluan të ndryshojnë. Me punë të palodhur, të përkushtuar dhe të përgjegjshme, nga korriku deri në shtator 2024, pesë lokomotiva u vunë në funksion, dhe deri në shkurt 2025 – gjithsej dhjetë nga 46 lokomotiva ekzistuese. Ishte hapi i parë drejt stabilizimit, por edhe një sinjal i qartë se problemet nuk zgjidhen me deklarata, por me punë.
Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm për realitetin, mosha mesatare e lokomotivave me naftë është mbi 60 vjet, dhe e lokomotivave elektrike mbi 40 vjet. Kjo nuk është e qëndrueshme, as ekonomikisht, as në mënyrë të sigurt dhe as mjedisore”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.


