Numri i ulët i lindjeve paraqet një sfidë serioze për vendin, vlerësoi kryeministri Hristian Mickoski. Në prononcimin e tij për media, ai u bëri thirrje të rinjve që të marrin vendim për krijimin e familjes dhe të bëhen prindër, duke theksuar se kjo është edhe një formë e shprehjes së dashurisë ndaj atdheut.
Duke iu referuar statistikave që tregojnë rënie të vazhdueshme të lindjeve, Mickoski theksoi se ky trend, në mënyrë figurative, pasqyron zhdukjen e një kombi.
HRISTIAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Sipas të dhënave, nga viti 2016 deri në vitin 2024 kemi rreth 6.000 foshnja më pak të lindura. Nëse një klasë ka mesatarisht 20 nxënës, kjo do të thotë 300 klasa bosh. Nëse një klasë është e gjatë 20 metra, flasim për rreth 6 kilometra klasa të zbrazëta. Kjo, në mënyrë figurative, tregon se si duket zhdukja e një kombi”.
Ai paralajmëroi se nëse ky ritëm vazhdon, investimet në infrastrukturë do të humbasin kuptimin, pasi në të ardhmen nuk do të ketë kush t’i shfrytëzojë ato.
HRISTIAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“S’ka kuptim të ndërtojmë shkolla, çerdhe, kënde lojërash e rrugë, nëse nuk ka kush t’i përdorë. Prandaj, mesazhi im për të rinjtë është i qartë: dashuria për atdheun shprehet edhe përmes vendimit personal për të krijuar familje dhe për t’u realizuar si prindër”.
Sipas kryeministrit, problemi demografik kërkon përkushtim të përbashkët dhe politika afatgjata me qëllim ndaljen e trendit negativ të lindjeve.
Samir Mustafa /SHENJA/


