Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj, siç e cilëson, trajtimit çnjerëzor dhe poshtërues të 76 të punësuarve në Ministrinë për Marrëdhënie Ndëretnike, të gjithë shqiptarë, të cilët sipas partisë janë thirrur në punë dhe janë mbyllur në zyra pa kushte minimale për punë dhe pa asnjë detyrë konkrete.
Nga BDI bëjnë të ditur se punonjësit janë vendosur në tri zyra të mbipopulluara, pa karrige, tavolina, kompjuterë apo mjete elementare pune, duke u detyruar të qëndrojnë në këmbë nga ora 08:00 deri në 16:00. Sipas reagimit, një situatë e tillë përbën formë të hapur të mobingut institucional dhe torturës psikologjike.
Partia thekson se disa nga punonjësit, për të përballuar orarin e punës, janë detyruar të ulen në dysheme dhe të sjellin batanije nga shtëpia, gjë që BDI e quan “turp shtetëror” dhe shkelje të çdo standardi ligjor, moral dhe evropian.
Reagimi thekson gjithashtu se pas publikimit të pamjeve nga këto zyra, në vend të marrjes së përgjegjësisë institucionale, situata është keqpërdorur për linçim publik, ndërsa kryeministri, sipas BDI-së, ka shkuar deri në akuza fyese ndaj punonjësve.
“Bëhet fjalë për gra shqiptare – nëna, motra dhe bashkëshorte – të cilat janë poshtëruar fillimisht nga shteti dhe më pas janë sulmuar publikisht nga kreu i qeverisë. Kjo përbën tejkalim të çdo vije të kuqe dhe nuk mund të justifikohet apo të heshtet”, thuhet në reagim.
BDI nënvizon se këta janë nëpunës shtetërorë dhe se përgjegjësia për kushtet dhe trajtimin dinjitoz të tyre bie drejtpërdrejt mbi institucionet shtetërore, e jo mbi partitë politike.
Në fund, BDI kërkon:
-
përgjegjësi të plotë politike dhe administrative për rastin,
-
ndërprerje të menjëhershme të këtij trajtimi,
-
rikthim të kushteve normale dhe dinjitoze të punës për të gjithë të punësuarit,
-
si dhe kërkesë për falje publike nga kryeministri.
“Institucionet e shtetit nuk guxojnë të shndërrohen në hapësira ndëshkimi kolektiv mbi baza etnike. Dinjiteti njerëzor nuk është privilegj, por e drejtë themelore që nuk negociohet”, përfundon reagimi i BDI-së.


