Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski shprehet i sigurt se Ligji më i komentuar gjatë këtij viti, ai për Përdorimin e Gjuhëve, do të sillet në vitin 2026. Pas vendimit të fundit të Gjykatës Administrative e cila e ka “shkarkuar” gjykatësen e lëndës që është raportuese e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve Elizabeta Dukovska, kjo lëndë ka kaluar në tjetë gjykatëse dhe si rrjedhoj dy herë është shtyrë seanca përgatitore që duhej të mbahej për këtë çështje.
I pyetur se a dyshon për prapavijë politike në këtë vendim të Gjykatës Administrative, kryetari i Kushtetueses u përgjigj “Ky ligj ka një kombinim të çuditshëm rrethanash”.
Darko Kostadinovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese
“Kjo lëndë do të vendoset në vitin 2026. Askush të mos shoh asnjë rrezik, as nuk japim, as nuk marrim, bëjmë harmonizim të dispozitave të ligjit me Kushtetutën. Në fund rezultati do të jetë, një ligj shumë më i mirë, për përdorimin e gjuhëve nga ky që e kemi momentalisht”.
Kryetari i Kushtetueses Darko Kostadinovski tregon qëndrimin personal sa i përket badenterit. Ai thotë se ky mekanizëm është i dobishëm në organet politike siç është Kuvendi, por nuk është i nevojshëm të përdoret në Gjykatën Kushtetuese sepse siç thekson, krijon anomali.
Darko Kostadinovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese
“Badenteri është një mekanizëm i dobishëm për një shoqëri si e jona, por në organet politike, siç është Kuvendi. Por, në organe si Gjykata Kushtetuese që është kontrolluese e atij organi (Kushtetutës), që duhet të sjellë ligje, përfshirë edhe me shumicë me badenter, të vije në situatë që jo argumentet kushtetuese, por ato etnike, të jenë vendimtare, atëherë nuk ka nevojë për një institucion të tillë”.
Për afatet kohore të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese që nuk respektohen nga legjislativi, Kostadinovski shprehet se kohët e fundit organet shtetërore janë shumë nervoze. Por siç thotë “Muaji i mjaltit” përfundon për cilin do organ shtetëror, duke shtuar se ata kanë mekanizma dhe lloje vendimesh me të cilat mund të vendosim disciplinë kushtetuese. Ndërsa paralajmëroi se vitin e ardhshëm do të ketë vendime shumë më ndryshe nga Gjykata Kushtetuese. Ndërsa alarmoi se pushteti legjislativ dhe ai ekzekutiv bënë mobing ndaj pushtetit gjyqësor.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/


