Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka bërë të ditur se mbrëmjen e së enjtes, së bashku me Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, kanë zhvilluar një moment solemn nderimi pranë monumentit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, në zemër të Çarshisë së Vjetër të Shkupit.
Në ceremoninë, e cila u mbajt në prani të përfaqësuesve të institucioneve qendrore dhe lokale, u vlerësua figura e Skënderbeut si simbol i dinjitetit, qëndresës dhe vizionit europian, një personalitet që tejkalon kohën dhe mbetet pikë orientimi për identitetin shqiptar.
Pas homazheve, aktiviteti vijoi në një atmosferë festive, me shfaqje artistike, tinguj tupanësh dhe pjesëmarrjen e fëmijëve të veshur me kostume dhe simbole kombëtare, duke përcjellë mesazhin e ruajtjes së rrënjëve dhe orientimit të natyrshëm të identitetit shqiptar drejt Evropës. 🇦🇱🇪🇺


