Nuk do të ketë asnjë krizë, as restrikcione të energjisë elektrike – siguron ministrja e Energjetikës Sanja Bozhinovska, pasi EMV i kërkoi Qeverisë shpalljen e gjendjes së krizës në tregun e energjisë elektrike, për shkak të vështirësive në furnizimin me lëndë djegëse për shkak të bllokadës së kufijve me Greqinë nga bujqit grekë. Ajo informoi se nesër, në seancë qeveritare, do të shqyrtohet kërkesa e EMV-së me të cilën duhet të aktivizohen rezervat shtetërore. Në rezerva kemi 10.500 ton mazut, të cilat janë të mjaftueshme për 47 ditë.
“EMV ka dorëzuar një letër në Qeveri. Ajo do të shqyrtohet nesër në seancë qeveritare. Nuk do të ketë asnjë krizë. Për qytetarët kjo nuk do të thotë asgjë, sepse shteti ka rezerva të mazutit. Kjo do të thotë se, nëse e dini se ka protesta nga grekët, do të thotë se tashmë ka më shumë se 50 ditë pamundësi për furnizim me mazut. Kjo do të thotë se rezervat shtetërore do ta furnizojnë EMV-në me mazut”, tha Sanja Bozhinovska, ministre e Energjetikës.
Protestë të bujqve grekë ka edhe pasdite, por Bozhinovska thotë se paralajmërimet janë se pikat kufitare me Greqinë do të jenë të kalueshme për festat. Po ashtu, ministrja informoi se është përzgjedhur kompania që do të ndërtojë linjën e tensionit të lartë drejt Shqipërisë, pasi më herët, për shkak të mosrespektimit të obligimeve, ishte ndërprerë kontrata me “Energoinvest” nga Bosnja. Tha se detajet do t’i kumtojë MEPSO, dhe theksoi se po punohet intensivisht edhe në ndërtimin e interkonektorit të gazit me Greqinë, i cili duhet të përfundojë në pranverë 2027.


