Punëdhënësit, sindikatat dhe Qeveria nuk u morën vesh për rritje të jashtëzakonshme të pagës minimale në 600 euro, ashtu siç kërkon Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë. Në seancën e sotme e Këshillit Ekonomiko-Social u arrit marrëveshje që bisedimet të vazhdojnë. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se nuk është kundër rritjes së pagës minimale, por shton se ajo mund të bëhet vetëm nëse pajtohen edhe punëtorët edhe punëdhënësit.
Hristijan Mickoski, kryeministër
“Dëshiroj të theksoj qartë: Qeveria nuk është kundër rritjes së pagës minimale. Angazhimi ynë është që pagat të rriten dhe puna të vlerësohet në mënyrë të duhur. Por, gjithashtu jemi bindur fort se një rritje e tillë duhet të jetë rezultat i marrëveshjes së ndërsjellë mes punëtorëve dhe punëdhënësve, i arritur përmes dialogut social dhe mbi bazën e mundësive reale ekonomike. Dhe kjo rritje duhet të jetë në përputhje me potencialet dhe kapacitetet e ekonomisë. Unë nuk jam për zgjidhje të imponuara”.
Edhe ministri Ekonomisë nuk është kundër rritjes së minimales, por nuk mendon që paga minimale duhet të rritet menjëherë.
Besar Durmishi, ministër i Ekonomisë
“Sa i përket rritjes ad’hoc pa mos pasur parametra të qartë, pa mos pasur analiza e cila tregon se duhet që të rritet me një vendim të Qeverisë, ne do të përballemi me rritje të inflacionit, posaqërisht kompanitë e vogla dhe të mesme do të përballen me krizë financiare, që don të thotë do të detyrohen që të largojnë nga puna punëtorët”.
Kryetari i Lidhjes së Sindikatave Sllobodan Trendafilov u shpreh se nëse Qeveria dhe punëdhënësit duan që në këtë mënyrë t’ua urojnë Vitin e Ri punëtorëve, urimi i Sindikatës tha se do të jetë mundësia për protesta.
Sllobodan Trendafilov, kryetar i LSM-së
“Ajo që e dëgjuam është një luftë ofertash me nevojën për të rritur pagën minimale – 600, 700, 800, madje edhe një mijë euro. Le të ulen qeveria dhe punëdhënësit dhe të bien dakord për shumën me të cilën janë të gatshëm të rrisin pagën minimale dhe të na thërrasin neve, sindikatat, dhe të na tregojnë se çfarë do të ndodhë. Megjithatë, ne sugjerojmë që ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që të mos e festojmë Vitin e Ri në një mënyrë tjetër”.
Lidhja e Sindikave vazhdimisht kërkon që të rritet paga minimale në vend sepse është rritur kostoja e jetesës. Sipas përllogaritjeve të tyre, vlera e shportës minimale sindikale për muajin dhjetor ka arritur në 65.492 denarë.
Emine Ismaili /SHENJA/


