Forca të shumta policie kanë zbarkuar pranë Kryeministrisë para nisjes së protestës së thirrur nga Partia Demokratike në orën 18:00.
Siç shihet edhe nga pamjet, qindra efektivë të Policisë së Shtetit janë vendosur në të katërta anët e Kryeministrisë.
Ky tubim vjen pas 5 protestave që PD organizoi poshtë zyrës së kryeministrit, ku demokratët kërkuan dorëheqjen e tij dhe të zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për disa afera korruptive.
Po ashtu, me qëllim garantimin e rendit Policia ka marrë një sërë masash për mbarëvajtjen e protestës së organizuar nga Partia Demokratike përpara kryeministrisë në orën 18:00.
Policia njofton se nga ora 14:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Po nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Policia thotë se në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. “Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative”, thuhet ne njoftim.


