Transporti ajror në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit po stabilizohet gradualisht, pasi dje dhe sot janë regjistruar anulime dhe devijime të fluturimeve për shkak të pamjes së kufizuar të shkaktuar nga mjegulla, njofton operatori TAV Maqedonia. Në periudhën nga ora 20:00 e mbrëmjes së djeshme, deri në ora 12:00 të ditës së sotme janë realizuar 27 fluturime, ndërsa gjithsej tetë fluturime janë anuluar, tre në arrdhje (Beograd, Stamboll dhe Stamboll – Sabiha Gokçen) dhe pesë në nisje (Cyrih, Beograd, Athinë, Stamboll dhe Stamboll – Sabiha Gokçen). Një fluturim nga Frankfurt-Han është devijuar.
“Të gjitha fluturimet e tjera kanë ateruar dhe nisur sipas orarit të planifikuar. Aeroporti është i hapur dhe të gjitha kapacitetet janë në funksion, bëjnë të ditur nga TAV, duke shtuar se personeli dhe pajisjet punojnë 24/7”, thonë nga TAV.
Nga kompania apelojnë që pasagjerët të ndjekin informacionet nga kompanitë ajrore për fluturimet e tyre, pasi kushtet atmosferike mund të ndryshojnë, dhe secila kompani ka procedura të ndryshme për tolerancën gjatë pamjes së kufizuar. Informacione të përditësuara për orarin e fluturimeve janë të disponueshme në faqen e internetit https://skp.airports.com.mk/, ndërsa pasagjerët mund të drejtohen edhe te pulti i informacionit në terminal ose në numrin e telefonit +389 2 3148 333.


