Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), përmes projekteve shëndetësore që po i zbaton në Ballkan dhe Evropën Lindore, nuk ndërton vetëm objekte infrastrukturore, por kultivon edhe shpresë, besim dhe ndjenjën e një të ardhmeje të përbashkët. Kjo qasje, e cila e vendos shëndetësinë në qendër, të hapsirave për zhvillim, është një bashkim i ndjenjës humane dhe ndikimit serioz dhe të qëndrueshëm.
Si një nga aktorët institucionalë më të fuqishëm të Turqisë, në fushën e ndihmave për zhvillim dhe rimëkëmbje, TİKA përmes projekteve të saj edhe në sektorin e shëndetësisë po lë gjurmë të qëndrueshme në terren. Çdo projekt, realizohet si rezultat i një vizioni që i jep përparësi nevojave lokale, synon ndikim afatgjatë dhe prek drejtpërdrejt jetën e njeriut.
Nënkryetari i TİKA-s, Dr. Mahmut Çevik, e përshkruan domethënien historike dhe humane të investimeve shëndetësore në Ballkan me këto fjalë:
“Në këto troje të një qytetërimi të lashtë, ashtu si në të kaluarën, edhe sot, përpiqemi t’i kthejmë ëndrrat në realitet, të rindërtojmë vëllazërinë, solidaritetin dhe idealin e një të ardhmeje të përbashkët. TİKA, është një forcë e rëndësishme e diplomacisë publike në përcjelljen e idealeve tona kombëtare dhe të kulturës sonë në arenën ndërkombëtare”.
Dr. Çevik thekson se përmes projekteve shëndetësore të TİKA-s, synohet që komunitetet mike dhe ato të afërta historikisht e kulturalisht, të pajisen me infrastrukturë moderne fizike, me pajisje bashkëkohore mjekësore si dhe me mundësi cilësore për diagnostikim dhe trajtim. Ai nënvizon se këto iniciativa, të udhëhequra nga parimi “një frymë shëndeti”, përbëjnë një nga fushat më të rëndësishme që drejtpërdrejt ndikojnë edhe në jetën e njeriut.
Duke rikujtuar se Ballkani, ka qenë ndër shekuj një hapësirë paqeje, ku kanë bashkëjetuar gjuhë, fe dhe kultura të ndryshme, Dr. Çevik tha se ruajtja e kësaj harmonie kërkon mbi të gjitha mbrojtjen dhe zhvillimin e njeriut. Për këtë arsye, ai thekson se, krahas projekteve të zhvillimit ekonomik, investimeve në shëndetësi, u kushtohet rëndësi e veçantë dhe strategjike, gjithmonë duke u udhëhequr nga parimi: “Ta mbajmë gjallë njeriun, që të mbijetojë edhe shteti”.
Gjurmë të qëndrueshme me 400 projekte shëndetësore në Ballkan
TİKA, në Ballkan dhe Evropën Lindore, deri më sot ka realizuar rreth 400 projekte në fushën e shëndetësisë. Këto projekte, të zbatuara paralelisht në disa shtete, kanë krijuar një ndikim të gjerë – nga njësitë e kujdesit intensiv dhe qendrat e avancuara diagnostikuese, tek shëndeti i nënës dhe fëmijës, si dhe pajisjet kirurgjikale.
Në Maqedoninë e Veriut po ndërtohen qendra shëndetësore, ndërsa në qytetin e Novi Pazarit të Serbisë, po përkrahen spitale me specializime të avancuara. Në Shqipëri, sigurohen mundësi për kirurgji laparoskopike, kurse në Bosnje dhe Hercegovinë, po forcohen shërbimet e shëndetit oral dhe dental. Në çdo projekt, TİKA, aplikon një qasje që vendos në qendër nevojat lokale, duke synuar standarde të larta dhe ndikim afatgjatë.
Disa nga projektet e rëndësishme në sektorin e shëndetësisë
• Rumani – Reparti Poliklinik i Spitalit të Medgidias: Përmes renovimit dhe mbështetjes me pajisje, ofrohen shërbime shëndetësore bashkëkohore për rreth 150 mijë banorë të rajonit dhe zonave përreth.
• Moldavi – Qendra Diagnostikuese dhe Trajtuese “Aziz Sancar”: Qendra, e inauguruar nga Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogan, në Komrat të Gagauzisë, u shërben të gjithë rajonit jugor të Moldavisë dhe trajton rreth 40 mijë pacientë në vit.
• Bosnje dhe Hercegovinë – Reparti i Hematologjisë në Qendrën Klinike të Sarajevës: Reparti, i dëmtuar rëndë gjatë luftës, u rinovua nga TİKA dhe u rihap në prani të bashkëshortes së Presidentit Erdogan, Emine Erdogan. Qindra pacientë tashmë përfitojnë trajtim në kushte moderne.
• Kosovë – Shërbimi i Kujdesit Intensiv në QKUK: Infrastruktura e kujdesit intensiv dhe pajisjet mjekësore u rinovuan plotësisht.
• Maqedonia e Veriut – Njësia e Kujdesit Intensiv Pediatrik në Spitalin Shtetëror të Shkupit: Njësia, e cila shërben mesatarisht rreth 400 të porsalindur dhe fëmijë në vit, kontribuon ndjeshëm në uljen e vdekshmërisë së foshnjeve.
• Serbi – Reparti i Lindjeve në Spitalin Shtetëror të Novi Pazarit: Në këtë qendër, realizohen rreth 2.500 lindje në vit, vdekshmëria e nënave dhe foshnjave është ulur ndjeshëm, duke e shndërruar spitalin në një pikë referimi rajonal.
Diplomacia e fuqishme e ndërtuar përmes shëndetësisë
Investimet e TİKA-s në fushën e shëndetësisë në Ballkan, përbëjnë një nga dëshmitë më konkrete të pozitës ndërkombëtare të Turqisë, të besueshmërisë, spektrit gjithëpërfshirës me ndikim të drejtpërdrejtë në terren. Çdo spital i ndërtuar, çdo njësi e kujdesit intensiv dhe çdo pajisje mjekësore e siguruar, përçon mesazhin e një shteti të fortë, i cili në këtë hapësirë flet përmes shëndetit, krijon ura komunikimi drejtpërdrejt me njeriun dhe ndërton marrëdhënie të qëndrueshme dhe afatgjate në këto troje.


