Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, u organizua një pritje solemne me rastin e 21 Dhjetorit – Ditës së Arsimit Turk, si dhe me rastin e 20 vjetorit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim – TIKA në Shkup.
Në aktivitetin e organizuar nga TIKA dhe Lidhja e Shoqatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATUSITEB) morën pjesë Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska – Davkova, Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi, ish-Kryetari i Kuvendit të Turqisë, Mustafa Shentop, Ambasadori i Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy , Kryetari i TİKA-s Abdullah Eren, ministra, deputetë, përfaqësues politikë, si dhe përfaqësues të institucioneve turke dhe vendore, bashkë me një numër të madh mysafirësh.
“Dita e Arsimit në Gjuhën Turke ka rëndësi të jashtëzakonshme për të gjitha shoqëritë”
Në fjalën e saj, Presidentja Siljanovska-Davkova uroi Ditën e Arsimit në Gjuhën Turke, duke theksuar se “21 Dhjetori – Dita e Arsimit në Gjuhën Turke nuk ka rëndësi vetëm për komunitetin turk, por për të gjitha vendet dhe shoqëritë”.
Duke nënvizuar se komuniteti turk në vend, përbën hallkën më të fortë të marrëdhënieve turko-maqedonase, ajo shprehu bindjen se në periudhën në vijim, së bashku me Presidentin e Turqisë Rexhep Tajjip Erdogan, këto marrëdhënie do të thellohen edhe më tej në frymën e miqësisë dhe respektit të ndërsjellë.
“Maqedonia e Veriut është vend i bashkëjetesës paqësore”
Ish-Kryetari i Kuvendit të Turqisë, Mustafa Shentop, theksoi se Dita e Arsimit në Gjuhën Turke, nuk duhet parë vetëm si një ditë përkujtimi, por si një ditë falënderimi, mirënjohjeje dhe orientimi, duke shtuar se gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi, por bartëse e kujtesës kolektive dhe e qytetërimit.
Ambasadori turk në Shkup, Fatih Ulusoy, duke përgëzuar 20-vjetorin e pranisë së TİKA-s në Maqedoninë e Veriut, theksoi se vendi është shembull i bashkëjetesës paqësore të shumë komuniteteve etnike, fetare dhe kulturore, ndërsa komuniteti turk, si një nga popujt autoktonë dhe përbërës të shtetit, ka një rol dhe kontribut të veçantë në këtë mozaik shoqëror.
“Komuniteti turk është pjesë e pandashme e këtij vendi”
Kryetari i TİKA-s, Abdullah Eren, kujtoi se 21 dhjetori i vitit 1944, konsiderohet si dita kur turqit e Maqedonisë së Veriut, fituan të drejtën për arsimim në gjuhën turke, duke e cilësuar atë si një festë kombëtare.
Ai theksoi se kjo ditë nuk përfaqëson vetëm një datë historike, por është edhe simbol i gjuhës, identitetit dhe ekzistencës kulturore, duke shtuar se komuniteti turk, me gjurmët e thella të lëna ndër shekuj në këto troje, është pjesë e pandashme e këtij vendi.
Kryetari i MATÜSİTEB-it, Tahsin Ibrahim, theksoi se gjuha turke, me trashëgiminë e saj mijëravjeçare, nuk është vetëm një mjet komunikimi, por një gjuhë botërore dhe një pemë qytetërimi me rrënjë të thella. Ai nënvizoi se ruajtja e gjuhës turke në zemër të Ballkanit, nënkupton jo vetëm mbrojtjen e një gjuhe, por edhe forcimin e paqes, tolerancës dhe bashkëjetesës multikulturore.
Në kuadër të programit, nxënësve fitues të konkurseve të mëparshme të pikturës, poezisë dhe eseve iu ndanë çmimet nga përfaqësuesit e protokollit.







