Në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi herët këtë mëngjes në autostradën Beograd–Nish, pranë nyjës Umçari, humbën jetën dy persona, ndërsa një pasagjer tjetër u dërgua urgjentisht në spital me lëndime të rënda.
Bëhet e ditur se në veturën e aksidentuar ishin dy kusherinjtë Nazim dhe Shkëlzen Avdiu si dhe bashkëshortja e Shkëlzenit.
Në vendin e ngjarjes jetën e kanë humbur Nazim Avdiu dhe bashkëshortja e Shkëlzenit, kurse Shkëlzeni ka pësuar lëndime të rënda.
Në një publikim të Hoxhë Burim Jashari thuhet:
“Te Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.
Me dhimbje të thellë morëm lajmin për aksidentin tragjik në Beograd, ku humbën jetën Avdiu Nazim dhe bashkëshortja e vëllait tonë Shkëlzen Avdiu, ndërsa Shkëlzen Avdiu ndodhet në gjendje kome, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Nazim Avdiu ishte një xhemat i afërt i imi, shembullor, namazli i përkushtuar, njeri i qetë dhe i urtë, dhe një personalitet i respektuar nga të gjithë. Ai ka dhënë një kontribut të çmuar në xhaminë tonë “Jakup Asipi” – Berlin.
Kjo humbje është e rëndë për familjen, xhematin dhe për të gjithë ata që i njohën. Lusim Allahun e Madhëruar t’i mëshirojë Nazim Avdiun dhe bashkëshorten e Shkëlzen Avdiut, t’i pranojë në mëshirën e Tij të pafund, t’u japë sabër familjarëve, ndërsa Shkëlzen Avdiut t’i dhurojë shërim sa më të shpejtë.
Hoxhë Burim Jashari
21.12.2025 Shkup”


