Kryetari i Forumit Rinor të BDI-së në Tetovë, Art Zylbeari, ka reaguar pas mbajtjes së Kongresit të Bashkimit Demokratik për Integrim, duke vlerësuar se ky proces duhej të ishte një moment reflektimi të thellë dhe forcimi të unitetit partiak, por sipas tij nuk arriti të reflektojë në mënyrë të plotë parimet themelore të meritokracisë dhe respektimit të strukturave partiake.
Në reagimin e tij publik, Zylbeari thekson se në opinion dhe në bazën partiake është krijuar bindja se porosia e anëtarësisë nuk është lexuar drejt, gjë që ka hapur rrugë për vendimmarrje që nuk pasqyron konsensusin e gjerë partiak dhe që, sipas tij, rrezikon të thellojë pakënaqësinë e brendshme.
Ai nënvizon se rinia e BDI-së, si një forcë politike pa ngarkesa të së kaluarës dhe e lidhur drejtpërdrejt me bazën, insiston që përgjegjësia dhe përfaqësimi politik të ndërtohen mbi individë me integritet, kredibilitet publik dhe potencial real fitues, e jo mbi kritere që nuk i shërbejnë forcimit të partisë.
Zylbeari vlerëson se mendimi kritik dhe debati i hapur janë domosdoshmëri demokratike dhe nuk duhet të perceptohen si kërcënim, duke shtuar se heshtja dhe bindja formale nuk sjellin fitore, por vetëm e shtyjnë përkohësisht përballjen me realitetin politik.
Në fund, ai shpreh pritshmërinë që kryetari i BDI-së, z. Ali Ahmeti, t’i marrë parasysh sugjerimet e adresuara nga rinia dhe nga baza partiake, me qëllim forcimin e partisë dhe ruajtjen e rolit të saj si promotor i agjendës euroatlantike, orientimit pro-perëndimor dhe integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Sipas Zylbearit, BDI duhet të jetë parti model për përfaqësim të drejtë, mundësi të barabarta, sundim të ligjit, demokratizim real dhe transparencë në të gjitha proceset vendimmarrëse.


