Shkupi mbetet qyteti i dytë më i ndotur në Evropë dhe i nëntëmbëdhjeti në botë, sipas të dhënave nga platformat online të monitorimit të cilësisë së ajrit. Përqendrimet e grimcave PM10 dhe PM2.5 janë dukshëm mbi kufijtë e lejuar, gjë që përbën një rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve.
Orët më kritike janë në mëngjes dhe në mbrëmje, kur, për shkak të inversionit të temperaturës dhe erërave të dobëta, ajri i ndotur mbetet “i bllokuar” mbi qytet. Një faktor shtesë janë oxhaqet individuale, trafiku i shtuar dhe burimet industriale në rajonin më të gjerë.
Ndaj si shkak i kësaj, autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve, veçanërisht fëmijëve, të moshuarve dhe të sëmurëve kronikë, të shmangin qëndrimet e zgjatura në natyrë, të përdorin maska mbrojtëse dhe, nëse është e mundur, pastrues ajri të brendshëm.
Ndërkaq, për këtë situatë, nga institucionet kompetente kërkohet përsëri të marrin masa urgjente dhe afatgjata për të zvogëluar ndotjen, duke përfshirë kontrollin e burimeve, përmirësimin e transportit publik dhe stimulimin e metodave më të pastra të ngrohjes.
Anida Murati /SHENJA/


