Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) mbajti sot Kongresin e pestë të partisë, njofton Telegrafi Maqedoni.
Në fjalimin e tij para delegatëve, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, theksoi se kjo parti ka lindur nga nevoja për barazi dhe paqe, duke kaluar nga lufta në përfaqësim institucional të shqiptarëve në shtet.
Ahmeti u shpreh se sot BDI është një forcë politike që mbron karakterin unitar të Maqedonisë së Veriut dhe kontribuon në stabilitetin e vendit.
“BDI lindi nga nevoja për paqe dhe përfaqësim. Me kalimin e viteve, nga lufta kaluam në përfaqësim institucional dhe sot jemi parti që mbron karakterin unitar të shtetit. Koha kërkon maturi dhe përgjegjësi, pasi bota po përballet me kriza të shumta që po ndryshojnë mënyrën se si veprojmë dhe punojmë. Prandaj, shtetit i nevojitet pjekuri politike dhe vizion afatgjatë”, deklaroi Ahmeti.


