Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ka njoftuar se ka arrestuar një 28-vjeçar nga fshati Poroj, i cili dyshohet se ka goditur me veturë një zyrtar policor gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur më 19 dhjetor 2025, rreth orës 12:50, në rrethrrotullimin e rrugëve “Ilinden” dhe “Iliria” në Tetovë. Zyrtarët policorë i kishin dhënë shenjë ndalimi drejtuesit të automjetit, por ai nuk ka respektuar urdhrin “stop” dhe, duke drejtuar veturën e tipit “Audi” me targa të Tetovës, ka goditur një polic, pas së cilës është larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas ndërmarrjes së masave operative, personi me inicialet E.A. është lokalizuar dhe privuar nga liria. Zyrtari policor i lënduar është dërguar në Spitalin Klinik të Tetovës, ku i janë konstatuar lëndime trupore.
Nga SPB Tetovë bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj të dyshuarit do të parashtrohen kallëzimet përkatëse penale.


