Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se sot ka nisur furnizimi publik për projektimin dhe montimin e Luna parkut të ri, një projekt që pritet të shënojë një fazë të re në transformimin urban të kryeqytetit.
Sipas njoftimit të Qytetit të Shkupit, ky hap madhor do të sjellë atraksione moderne, qasje të plotë dhe përmbajtje të reja për të gjitha gjeneratat. Në hapësirën prej 84.000 metrash katrorë, parashihet krijimi i një zone tërësisht të re rekreative dhe argëtuese, e cila do t’i japë qytetit një dimension të ri turizmi dhe gjallërie.
Gjorgjievski theksoi se Luna parku do të përfshijë një rrotë panoramike, anije piratë, një nëndetëse, luhatëse dhe shumë atraksione të tjera, të cilat do të krijojnë një atmosferë unike për vizitorët. Përveç pajisjeve argëtuese, do të ketë edhe hapësira për familje, zona pushimi, art rrugor, ambiente për ngjarje kulturore dhe një teatër me skenë të mbyllur.
“Më në fund, Shkupi do ta ketë një Luna park!”, u shpreh kryetari. “Pas viteve të tërheqjeve dhe premtimeve të rreme, sot po nisim zyrtarisht procedurën për projektimin dhe ndërtimin e një Luna parku ultra modern, një nga më të mirët në rajon, të ndërtuar sipas standardeve më të larta evropiane. Synojmë të krijojmë një hapësirë me rollerkostere, atraksione ujore, lojëra interaktive, zona me realitet virtual dhe një nivel të ri të argëtimit urban.”
Ai shtoi se Luna parku do të jetë plotësisht i aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuara dhe do të pajiset me sisteme të avancuara sigurie, video-mbikëqyrje dhe shërbime të ndihmës së parë.


