Shkruan: Naser Pajaziti
Në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët nuk ndalen nga krijimi i partive të reja. Prej tre dekadash, skena ka parë mbi 20 subjekte politike — disa zhduken shpejt, disa bashkohen në fraksione, por copëzimi mbetet i vazhdueshëm.
Në fillim të pluralizmit, shqiptarët përfaqësoheshin nga Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) e Nevzat Halilit. Shpejt ndodhën çarje të para: nga PPD-ja doli dhe u formua PPDSH, më vonë PDSH (Partia Demokratike Shqiptare) me Arbën Xhaferin. Njëkohësisht, funksiononte edhe PDP e Iljaz Halimit.
Gjatë viteve ’90 dhe deri para konfliktit të vitit 2001, në skenë ishin të pranishme edhe parti të tjera më të vogla: PDK (Kastriot Haxhirexha) që arriti të etablohet edhe si parti parlamentare, Partia Liberal-Demokrate Shqiptare (Hisen Ramadani), Partia Republikane e Unitetit Popullor (Nevzat Halili), Partia e Aksionit Demokratik – Rruga Islame, Alternativa Demokratike (Asllan Selmani) dhe Partia për Bashkimin Demokratik Shqiptar (Besnik Telai). Paralelisht, ishin aktive struktura politike të palegalizuara si LPK, LKÇK, Balli Kombëtar dhe Lëvizja e Legalitetit influencuan politikisht elektoratin shqiptar.
Pas vitit 2001, skena mori një kthesë të madhe me krijimin e BDI-së (Bashkimi Demokratik për Integrim), e cila u bë boshti i grumbullimit të figurave politike nga parti tjera dhe shkrirjes së disa partive të vogla. Në krahun tjetër, ishte PDSH-ja, por dhe PPD-ja. Pak vite më vonë sindromit të përçarjes si shpëtoi as PDSH nga e cila doli një fraksion politik që formoi DR (Demokracia e Re) me Imer Selmani.
Në këtë periudhë lindën edhe dy subjekte të reja politike RDK (Rilindja Demokratike Kombëtare) e Rufi Osmanit dhe BDSH (Bashkimi Demokratik Shqiptar) e Bardhyl Mahmutit.
PDSH si forcë e parë opozitare pak vite më vonë u përfshi në përçarjen e radhës nga ku doli LR-PDSH e prirë nga Ziadin Sela, që më vonë u riemërtua si Aleanca për Shqiptarët).
Në periudhën para zgjedhjeve të 2015, u formuan subjekte të reja si Lëvizja BESA dhe Uniteti.
Edhe Lëvizja BESA nuk rezistoi ashtu që edhe ajo dy vite nga themelimi i saj u përball me përçarje që çoi në formimin e subjektit të ri politik Alternativa e Afrim Gashit.
Lëvizjet tektonike politike nuk mbarojnë me kaq pasi që përçarja më në fund godet edhe BDI.
Para zgjedhjeve të fundit parlamentare nga kjo parti u formua LD (Lëvizja Demokratike) e Izet Mexhitit.
Por ky zhvillim krijoi edhe një zinxhirë përçarjes tek skena politike shqiptare.
Nga ASH u formuan dy krahë – Ziadin Sela dhe Arben Taravari; nga Alternativa, Skender Rexhepi-Zejdi krijoi një parti të re Populli dhe nga BESA u themelua PDE e Arianit Hoxhës.
Këto ndryshime çuan në dy blloqe kryesore si koalicione para zgjedhjeve parlamentare:
Koalicioni VLEN: ASH e Arben Taravarit, LD e Izet Mexhitit, Lëvizja BESA e Bilall Kasamit, Alternativa e Afrim Gashit dhe Vetëvendosje si formacion politik në Maqedoninë e Veriut me Bekim Qokun.
Koalicioni Fronti Evropian: BDI, ASH e Ziadin Selës, Populli e Zejdit, PDE e Hoxhës dhe parti nga komunitetet turke dhe rome.
Pas çarjes së VLEN-it dhe largimit të Taravarit ndodhi një rikonfigurim në skenën politike me formimin e Aleancës Kombëtare për Integrim, një koalicion për zgjedhjet lokale që bashkoi BDI-në dhe të dy krahët e ASH-së.
Sot, skena politike shqiptare qëndron e polarizuar, por, zërat për formimin e partive të reja po rikthehen në qarkullim, duke paralajmëruar se cikli i fragmentimit politik ende nuk ka mbaruar!”


