Policia e Shkodrës ka vënë në pranga 17-vjeçarin Danjel Ndreu, i cili ishte shpallur në kërkim si i dyshuar për bashkëpunim në atentatin e 8 shtatorit në qendër të qytetit, ku Ragip Gila vrau 2 persona dhe plagosi dy të tjerë.
Ngjarja e rëndë solli humbjen e jetës së Armando Palit dhe Liridon Krajës, ndërsa mbetën të plagosur Erogen Vaso shënjestra e dyshuar e sulmit, dhe kamarierja Meri Kaceri.
I mituri Danjel Ndreu, mësohet se u ndalua nga forcat “Shqiponja” gjatë një kontrolli rutinë, ku iu gjetën disa doza kokaine. Pas shoqërimit në komisariat, rezultoi se ai kërkohej gjithashtu edhe për vjedhjen e një motori në muajin gusht.
Pritet të përcaktohet cilat akuza do të formalizojë Prokuroria e Shkodrës ndaj Ndreut në vijim.
MASAKRA NË SHKODËR
Ngjarja e rëndë ndodhi më 8 shtator në ambientet e një lokali ne qender te Shkodrës, ku autori Ragip Gila, hapi zjarr dhe për pasojë mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa u plagosën Erogen Vaso dhe kamarieria Meri Kaceri, e cila ndodhej rastësisht në vendin e gabuar.
Pas të shtënave, autori Ragip Gila u largua nga dera e pasme e lokalit dhe braktisi motorin, duke ecur në këmbë për disa metra.
Më pas, Gila ndaloi një qytetar dhe nën kërcënimin e armës i mori makinën BMW ngjyrë gri, me të cilën u largua me shpejtësi nëpër rrugët e qytetit.
Pamjet filmike tregojnë qartë momentin kur ai qarkullon me makinën e vjedhur në përpjekje për t’u arratisur. Arriti deri në lagjen Skënderbeg, por gjatë ndjekjes nga forcat e policisë, u përfshi në një aksident duke u përplasur me disa mjete të tjera. Pas përplasjes, e braktisi automjetin dhe tentoi të largohej në këmbë në drejtim të lumit Kir.
Deshmia e autorit
Ragip Gila, i cili është izoluar në paraburgimin 302 në Tiranë, ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve, duke pohuar se objektivi i tij ishte vetëm një person, Erogen Vaso.
“Objektivi im ishte vetëm Erogen Vaso pas një problemi personal me të,” ka deklaruar Gila në polici, duke sqaruar se nuk kishte synuar të qëllonte të tjerë persona në vendngjarje.
Sipas dëshmisë së tij, Gila pretendon se kishte një konflikt të vazhdueshëm me Vason.
“Erogen Vaso ka ndenjur duke më kërcënuar dhe kisha probleme me të. Më ka bërë si i fortë dhe më ka çuar fjalë. E kam pasur personale vetëm me të dhe doja të qëlloja vetëm atë,” mësohet të ketë thënë ai gjatë marrjes në pyetje.
Kush është autori
Ragip Gila është arrestuar në 6 Dhjetor 2023, pasi në banesën e tij në lagjen Partizani në Shkodër iu gjet arsenal armësh që dyshohet se do të përdoreshin nga grupe kriminale, për të kryer krime kundër personit dhe pronës.
Gjatë operacionit “Imazhi fals” u sekuestruan 7 jelekë antiplumb, 2 palë doreza, 3 maska, 2 paruke, municion luftarak, 1 kokore metalike, 1 armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme, si dhe sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Në atë kohë, blutë arrestuan në flagrancë Ragip Gilën, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.


