Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në një intervistë në emisionin “1+1” në TVM2, deklaroi se brenda koalicionit VLEN nuk ekziston asnjë garë për drejtim dhe se deri më tani është dëshmuar se ky subjekt politik nuk funksionon mbi bazën e pozicioneve personale.
Sipas Mexhitit, VLEN po e thyen konceptin tradicional të “bajraktarizmit” në politikën shqiptare, duke vënë në plan të parë idenë dhe platformën, e jo individin.
“VLEN ka treguar se mund të funksionojë dhe të fitojë edhe pa një figurë të vetme udhëheqëse. E rëndësishme është ideja, jo personi”, u shpreh ai.
Ai theksoi se beteja kryesore politike për koalicionin aktualisht janë zgjedhjet në Gostivar dhe Vrapçisht.
“Prioritet janë zgjedhjet në Gostivar dhe Vrapçisht, ku synojmë të rikthehemi fuqishëm. Duam që këto dy komuna t’iu bashkohen fitimtarëve, njerëzve që punojnë për qytetarin, e jo të shndërrohen në terren eksperimental politik për opozitën shqiptare”, tha Mexhiti.
I pyetur për deputetët e opozitës që mund të jenë duke negociuar me pushtetin, Mexhiti u përgjigj shkurt se “ka lëvizje të shumta”, pa dhënë më shumë detaje.


