Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Arber Ademi, ka reaguar lidhur me përplasjet e fundit të qeverisë pas ngritjes së flamurit shqiptar para dhe pas zgjedhjeve.
Ademi thekson se gjatë periudhës kur BDI ishte në pushtet, kërkohej që flamuri shqiptar të ngrihej “lart e më lart”. Por, pasi të tjerët hyn në qeveri, sipas tij, sjellja ka ndryshuar drastikisht, duke e lëshuar “bajrakun” sikurse ish-zyrtari Rrahman Morina dikur.
Më poshtë reagimi i plotë i Ademit:
Para zgjedhjeve, sa kohë BDI ishte në qeveri, thoshin: “Ngriteni flamurin lart e më lart.”
Pas zgjedhjeve, kur u futën në qeveri si Rrahman Morina dikur, “e lëshuan bajrakun”. Madje gjatë fushatës nuk i lanë qytetarët ta ngrinin flamurin në zemër të Tetovës e në qytetet e tjera.
E tani, me 28 Nëntor, në Ditën e Flamurit, vetëm pse qytetarët e ngritën flamurin si çdo vit, ua tërhoqën veshin, që të nesërmen t’i kërkonin falje me betim se kurrë nuk do ta përsërisin “gabimin”. Por as kjo nuk mjaftoi: brenda ditës policia edhe i paditi.
Nuk di më çfarë të them! Edhe vetë Rrahman Morina do t’ua kishte zili për shkallën e servilitetit dhe vasalitetit.


