Koalicioni qeveritar VMRO-VLEN nuk e mbështetet protestën e Veteranëve të UÇK-së që do të mbahet më 13 dhjetor në Shkup në të cilën do të ngritët zëri për padrejtësitë ndaj ish krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Arsyeja, sipas tyre është se Ali Ahmeti po tenton të përfitojë nga kjo protestë.
Kryeministri Hristijan Mickoski, në brifing me gazetarët tha se ky hap i Ahmetit është i gabuar dhe për këtë në të ardhmen do ta ketë shumë rëndë të gjejë partner koalicioni. Mickoski shkoi më tej, duke theksuar se është i bindur që sikur ai, edhe VLEN nuk do ta mbështetë.
Koalicioni VLEN nëpërmjet një komunikate drejton gishtin nga Ali Ahmeti se po tenton të përfitojë politikisht në kurriz të kësaj proteste, duke manipuluar ndjenjat e shqiptarëve. Sipas tyre, proceset në Hagë janë çështje serioze që kërkojnë diplomaci dhe veprime institucionale të cilat Kosoava tashmë po i ndërmerr.
“Prandaj kemi përgjegjësi që këto tema të trajtohen me maturi, e jo me improvizime të një partie që është zënë ngushtë dhe sa herë gjendet në krizë manipulon ndjenjat e shqiptarëve. VLEN respekton çdo protestë që lind natyrshëm nga shqiptarët. Ajo që kundërshtojmë është përdorimi i emrit të UÇK-së për të mbuluar dështimet, aferat dhe frikën nga zhdukja politike”, thonw nga VLEN.
Lidhur me protestën, sot ka reaguar edhe personalisht Ahmeti, i cili thekson se do të dalin në mbështetje dhe mbrojtje të së vërtetës objektive për krerët e UÇK-së në Hagë.
Megjithatë, protesta është caktuar në Shkup pas një vizite të Ahmetit në hapësirat e OVL-UÇK-së më 19 nëntor, ku kryetari i kësaj shoqate Hysni Gucati i ndau mirënjohje Ahmetit.
Deklaratat e Mickoskit nga OVL-UÇK sot i quajtën përçarëse, ndërsa theksuan që qëllimi i tyre nuk është që të ndërhyjnë në politikat e tyre të brendshme.
“Deklarata që nuk tregojnë unitet të gjitha komuniteteve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, por më shumë përçarje, prandaj për neve kanë qenë të papranueshme sepse duke pasur parasysh faktin se këto protesta që i bëjmë, i kemi bërë edhe nëpër vende tjera dhe asnjëherë nuk kemi qëllim me ndiku në politikat e tyre të brendshme atje”, tha Gazmend Syla, Nënkryetar i OVL-UÇK.
Lidhur me protestën gjatë ditës kanë reaguar edhe nga Lëvizja Popullore e Kosovës, të cilët i ftojnë partitë të mos e keqpërdorin protestën për përfitime politike, pasi qëllimi i saj është drejtësia dhe dinjiteti, dhe jo instrumentalizimi partiak./ Alsat.mk


