I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, do të takohet këtë të enjte (4 dhjetor) në Miami me kreun e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, Rustem Umerov, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë. Takimi vjen menjëherë pas vizitës pesëorëshe të Witkoff-it në Kremlin të martën, ku ai bisedoi me presidentin rus Vladimir Putin. Sipas Moskës, diskutimet nuk prodhuan “asnjë kompromis” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Presidenti Donald Trump i cilësoi bisedimet me Putinin, ku mori pjesë edhe Jared Kushner, si “mjaft të mira”, por paralajmëroi se është ende herët për të pritur rezultate konkrete. “Duhen dy persona për tango,” tha ai, duke nënvizuar se progresi varet nga angazhimi i të dy palëve.
Nga Kievi, ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybhia deklaroi se Rusia duhet të ndalë menjëherë agresionin dhe akuzoi Putinin se po “humb kohën e botës”. I pyetur nëse Witkoff dhe Kushner besonin se Putin dëshiron vërtet t’i japë fund luftës, Trump tha se “kjo ishte përshtypja e tyre”.
Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi më herët se një takim mes negociatorëve amerikanë dhe ukrainas pritet të zhvillohet në ditët në vijim. Në një mesazh në X, ai tha se “bota qartësisht mendon se ekziston një mundësi reale për t’i dhënë fund luftës”, por theksoi se çdo proces duhet të shoqërohet me presion të vazhdueshëm ndaj Rusisë.
Bisedimet SHBA–Rusi në Kremlin erdhën pas disa ditësh konsultimesh të Uashingtonit me udhëheqës ukrainas dhe evropianë, pasi ishin shfaqur shqetësime se një draft-marrëveshje e mundshme paqeje ishte tepër e anuar në favor të Moskës. Këshilltari i Putinit, Yuri Ushakov, tha se disa propozime amerikane ishin “të pranueshme”, por të tjerat u kritikuan drejtpërdrejt nga lideri rus, transmeton RTSH.
Dy çështje mbeten pengesë thelbësore: statusi i territoreve ukrainase të pushtuara nga Rusia dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën. Kievi dhe partnerët evropianë kërkojnë anëtarësimin në NATO si mënyrën më të sigurt për të parandaluar një agresion të ri, ndërsa Moska e kundërshton fuqishëm këtë opsion. Edhe presidenti Trump ka lënë të kuptohet se nuk e mbështet zgjerimin e Aleancës me Ukrainën.
Kremlini konfirmoi se perspektiva e anëtarësimit të Ukrainës në NATO ishte “çështje kyçe” e takimit në Moskë.


