Agjencia për Rregullimin e Sektorit Hekurudhor në Maqedoninë e Veriut operon me vetëm tre të punësuar, por megjithatë siguron një nivel pagash që tejkalon ndjeshëm mesataren kombëtare, sipas programit të saj vjetor të paraqitur në Kuvend. Dokumenti zyrtar parashikon që gjatë vitit të ardhshëm stafit aktual t’i shtohen edhe dy pozita të reja, shkruan Faktor.
Pavarësisht rolit relativisht të kufizuar të agjencisë – për shkak se tregu hekurudhor në vend mbetet i neligjësuar dhe qarkullimi i trenave është minimal – shpenzimet për paga arrijnë nivele të konsiderueshme. Sipas të dhënave financiare, punonjësit aktualë marrin paga bruto deri në rreth 1.900 euro, ndërsa kostoja totale vjetore për paga tejkalon një milion euro, përcjell INA.
Në dokumentin e dorëzuar në Kuvend, institucioni saktëson:
• Shpenzimet për paga dhe kompensime: Për vitin 2026 parashikohen 6.837.000 denarë për pagat neto, kompensimet dhe kontributet për tre punonjësit aktualë dhe dy punësimet e reja. Shuma mbetet e pandryshuar krahasuar me vitin e kaluar.
Të dhënat tregojnë se për tre punonjësit ekzistues janë planifikuar 3.116.000 denarë (rreth 50 mijë euro), që përkthehet në rreth 1.400 euro pagë neto për secilin. Ndërkaq, për dy punonjësit e rinj janë buxhetuar 1.517.000 denarë (afërsisht 24 mijë euro), me një pagë neto prej 1.027 euro për person. Për kontribute sociale dhe tatime janë paraparë rreth 2,2 milionë denarë.
Sipas planifikimeve buxhetore, Agjencia pritet të sigurojë të ardhura totale prej 13.876.000 denarësh (rreth 225 mijë euro) gjatë vitit 2026, një rënie prej 17 për qind krahasuar me vitin aktual.(INA)


