Ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikën e jashtme, Federica Mogherini, e ndaluar dje, 2 dhjetor, në kuadër të një hetimi për mashtrim që përfshiu Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm dhe Kolegjit të Europës, u lirua gjatë natës, rreth orës 01:00.
Kështu raportojnë mediat italiane si La Repubblica apo Corriere della Sera. Janë liruar edhe dy të ndaluarit e tjerë, Stefano Sannino dhe një drejtues i Kolegjit.
“Sipas deklaratës së policisë gjyqësore federale belge, pas intervistimit, tre individët u njoftuan zyrtarisht për akuzat që rëndojnë mbi ta. Akuzat lidhen me mashtrim dhe korrupsion në tendera, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Ata u liruan, pasi nuk konsiderohen të rrezikuar për arratisje”, njoftojnë prokurorët.
Hetimi lidhet me postin aktual të Mogherinit, si rektore e Kolegjit të Europës.
Dyshohet se Shërbimi i Jashtëm i BE-së, që kryen funksionet diplomatike të Unionit, zgjodhi përmes një tenderi abuziv në vitin 2022 Kolegjin e Europës për zhvillimin e Akademisë Diplomatike të BE-së, një program pilot 9-mujor për kualifikimin e diplomatëve.
Pak kohë para shpalljes së tenderit, Kolegji i Europës bleu një ndërtesë në Bruges (në Belgjikë) për 3.2 milionë euro, në një kohë vështirësish financiare për Komisionin Europian, nga i cili përfiton pjesën më të madhe të fondeve.
Ndërtesa kishte si funksion strehimin e studentëve pjesëmarrës, ndërsa tenderin me vlerë 654 mijë euro e fitoi pas blerjes së ndërtesës.
Ky ishte treguesi kryesor që ngjalli dyshime se drejtuesi i shërbimit të jashtëm të BE-së në atë kohë, Stefano Sanino, kishte parapërgatitur fituesin e tenderit.
Kolegji i Europës dyshohet se fitoi një garë të pandershme përballë universiteteve të tjera prestigjoze europiane për organizimin e Akademisë.
Federica Mogherini nisi karrierën politike në vitin 2008, kur u zgjodh anëtare e Partisë Demokratike (PD) në Itali.
Karriera e saj mori hov të madh nën drejtimin e Matteo Renzi-t, ku u emërua në sekretariatin e partisë dhe më pas si përgjegjëse për politikën e jashtme të PD-së. Në moshën 41-vjeçare, Renzi e bëri ministre të Jashtme, duke e bërë një nga më të rejat në historinë e Italisë, duke u angazhuar sidomos në çështje si Libia, emigracioni dhe kriza në Ukrainë.
Pas një periudhe të shkurtër në Ministrinë e Jashtme, në 2014 Mogherini arriti majat e politikës europiane si Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Europian për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zv/Presidente e Komisionit Europian. Gjatë këtij mandati, ajo menaxhoi dosje komplekse si marrëveshja bërthamore me Iranin (JCPOA) dhe marrëdhëniet me Rusinë gjatë krizës ukrainase.
Pavarësisht se vinte nga krahina reformiste e PD-së, Mogherini u kritikua për qasjen e hapur ndaj Rusisë, Iranit dhe autoriteteve palestineze. Megjithatë, ajo mbështeti sanksionet e BE-së ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimesë dhe konflikteve në Donbass.
Pas përfundimit të mandatit në Bruksel në 2019-ë, Mogherini iu përkushtua karrierës akademike dhe sot mban postin prestigjioz të Rektore së Kolegjit të Europës në Bruksel, një institucion kyç për trajnimin e zyrtarëve europianë.
Karriera e saj ka pasur edhe sfida të forta, përfshirë konkurrencën me Massimo D’Alema për postin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së në 2014-ën, të cilin e mori përfundimisht Mogherini falë mbështetjes së Matteo Renzi-t. Në 2016-ën, ajo u përball me thirrje për dorëheqje pas reagimit emocional ndaj sulmeve terroriste në Bruksel, një gjest që disa e panë si shenjë dobësie, ndërsa të tjerë e vlerësuan pjesëmarrjen e saj emocionale.
Megjithëse ka pasur debate dhe polemika politike, në të shkuarën Mogherini nuk ishte përfshirë në skandale personale apo çështje të rënda korruptive.


