Në mbledhjen e dytë të Këshillit Komunal të Kërçovës, të mbajtur ditën e djeshme, u përcaktua përbërja e 11 komisioneve punuese të këshillit. Megjithëse shqiptarët përbëjnë shumicën në këtë komunë dhe kanë 10 këshilltarë në përbërjen aktuale të këshillit, vetëm 4 nga 11 komisionet do të drejtohen nga përfaqësues shqiptarë.
Kundër kësaj ndarjeje reaguan këshilltarët e Listës së Pavarur, Kujtim Kasami, dhe e Aleancës për Integrim (AKI), Syarta Saliu Osmani. Ata theksuan se vendimi nuk pasqyron realitetin demografik dhe politik të Kërçovës, duke nënvizuar se përfaqësimi në komisione duhet të jetë proporcional dhe në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
Sipas tyre, mënyra e formimit të komisioneve përmban elemente të hapura të diskriminimit ndaj shumicës shqiptare në Kërçovë.
“Kur në këshill ka 10 këshilltarë shqiptarë dhe 9 maqedonas, është e papranueshme që vetëm 4 komisione të drejtohen nga shqiptarët. Kjo bie ndesh me ligjin dhe me çdo parim të përfaqësimit të drejtë”, kanë deklaruar ata.
Nga koalicioni VLEN, që gjithashtu ka përfaqësues shqiptarë në Këshillin Komunal e që është në koalicion me VMRO-në, nuk është shënuar asnjë reagim rreth kësaj çështjeje, duke shkaktuar pakënaqësi në opinionin lokal për mungesën e qëndrimit publik në një vendim që prek drejtpërdrejt pozicionin politik të shqiptarëve në Kërçovë. (koha.mk)


