Qeveria drejt plotësimit të vendeve vakante pas largimit të Izet Mexhitit nga detyra e zëvendëskryeministrit të parë, si dhe ministrit të Ekologjisë. Kabineti i Mickoskit e ka dorëzuar propozimin në Kuvend. Nga zyra e kryeparlamentarit Afrim Gashi konfirmojnë se dokumenti qeveritar ka mbërritur.
Mexhitin në ekzekutiv do ta zëvendësojnë Bekim Sali, si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Çështje Evropiane, si dhe Muhamet Hoxha propozohet në Ministrinë e Ambientit Jetësor, bëjnë të ditur burime qeveritare. Propozimi nuk përfshin emra të tjerë, që kanë qarkulluar së fundmi në opinion sikurse Bashkim Bakiu, i cili thuhej se do të menaxhojë Ministrinë e Shëndetësisë.
Disa ditë më parë është prononcuar edhe vetë Mexhiti, i cili është shprehur se Qeveria nuk do të pësojë rikonstruim, por vetëm zëvendësim në vendet vakante. Mexhiti ka pohuar se Bekim Sali do të jetë zëvendëskryeministër i parë, por do të shikohet se cilin dikaster tjetër do ta drejtojë. Ndërkohë që ka rikonfirmuar ardhjen e Muhamet Hoxhës në Ministrinë e Ekologjisë.
Sipas versionit jozyrtar, VLEN-i ka rishikuar mundësinë që ministri aktual për Çështje Eurointegruese, Orhan Murtezani, ta emërojë ambasador në Bruksel, Bashkim Bakiu të vijë në shëndetësi, ndërkaq ministri aktual Azir Aliu të transferohet në administrimin e Agjencisë për Komunikime Elektronike.
Rikonstruimi i tillë vazhdon të mbetet në qendër të vëmendjes, por sipas të gjitha indicieve jo para kongresit të VMRO-DPMNE-së më 6 dhjetor. Ndërkohë Kuvendi ka për detyrë që të miratojë propozimet për dy ministrat Sali dhe Hoxha. Në njoftimin për media thuhet se shkarkimi i zëvendëskryeministrit Murtezani do të bëhet në seancën e radhës, ndërkaq për emërimet e reja në rregullore nuk ekziston afat i caktuar dhe për këtë do të vendoset në formë shtesë. Bekim Sali, ish-ministër i Shëndetësisë, aktualisht është deputet i koalicionit VLEN, ndërkaq Muhamet Hoxha njihet si ish-zëdhënës i Qeverisë.


