Vendkalimi hekurudhor në fshatin Llopat të Kumanovës prej vitesh është burim shqetësimi, frike dhe pakënaqësie për banorët. Problemi nuk është i ri, por i përsëritur dhe i vazhdueshëm, pasi rampat që u instaluan për të rritur sigurinë rrugore pothuajse kurrë nuk funksionojnë siç duhet. Ndërsa, qytetarët thonë se kjo situatë zvarritet prej më shumë se një dekade, ndërsa institucionet nuk kanë ndërhyrë asnjëherë në mënyrë të qëndrueshme, duke e lënë fshatin në një rrezik të përhershëm.
Për banorët e Llopatit si dhe fshatrave të komunës së Likovës, kalimi çdo ditë pranë hekurudhës është një lojë fati. Kur vjen treni, rampat shpesh nuk lëshohen fare. Në vend të sistemit të sigurisë, i vetmi paralajmërim është zëri i vazhduar i lokomotivës, e cila detyrohet të sinjalizojë me zë të fortë çdo automjet që i afrohet vendkalimit. Sinjalizimi vizual është i dobët, ndërsa drejtuesit e veturave shpesh afrohen pa e kuptuar rrezikun real deri në momentin e fundit.
Gazeta KOHA edhe sivjet doli në terren për të parë nga afër situatën dhe pamjet e regjistruara dëshmojnë qartë se rreziku nuk është perceptim, por realitet i përditshëm. Në disa raste, treni kalon me shpejtësi të plotë, ndërsa rampat mbeten plotësisht të ngritura, sikur rruga të ishte krejtësisht e lirë. Automjetet që udhëtojnë drejt vendkalimit nuk marrin asnjë paralajmërim vizual për rrezikun që u afrohet, përveç zërit të lokomotivës që detyrohet të sinjalizojë pandërprerë.
Por absurditeti i këtij vendkalimi nuk ndalet këtu. Gjatë vizitës në terren dhe nga pamjet e banorëve, vërehet se jo rrallë ndodh e kundërta, rampat ulen, bllokojnë qarkullimin dhe qëndrojnë të mbyllura për minuta të tëra, ndërkohë që treni nuk shfaqet fare. Qytetarët presin 20 apo edhe 30 minuta pa asnjë njoftim dhe pa asnjë lëvizje nga institucionet përgjegjëse. Në këtë periudhë pritjeje të panevojshme, disa shoferë tentojnë t’i anashkalojnë barrierat e ulura, duke rrezikuar të përballen me një tren që mund të vijë papritur, sepse askush nuk e di saktë se kur është defekt, kur është pritje e planifikuar dhe kur vërtet po afrohet treni.
Një banor i zonës e përshkruan situatën si të pakontrollueshme dhe të rrezikshme, duke theksuar se çdo kalim është bërë “me lutje mos ndodhë gjë”. “Nuk dihet më kur je i sigurt dhe kur jo. Treni mund të dalë në çdo moment dhe rampat nuk lëvizin fare. Pastaj ka ditë kur rampat mbyllen dhe ne presim me dhjetëra minuta, por treni nuk kalon kurrë. Është bërë absurde, sikur askush të mos kujdeset për jetët tona,” deklaroi T.N për gazetën KOHA.
Pavarësisht raportimeve të shumta dhe reagimeve të banorëve ndër vite, situata mbetet e pandryshuar. Edhe pse komuna dhe institucionet hekurudhore kanë marrë ankesa të shumta, nuk ka pasur ndërhyrje reale që të garantojë sigurinë në këtë pikë kritike. Aktualisht, vendkalimi funksionon më shumë si një rrezik permanent sesa si pjesë e infrastrukturës që duhet të mbrojë jetën.
Ndryshe, edhe në fshatin Rramanli të Komunës së Kumanovës, si pasoj e mungesës së traut dhe mos-funksionimit të dritave sinjalizuese, çdo vit ndodhin aksidente, që i shkakton banorëve dëmtime të rënda e shpesh edhe vdekje. Mirëpo, pavarësisht se autoritetet e kanë fatin e qytetarëve në dorë, ata përsëri nuk u kushtojnë fare rëndësi, duke i lënë pas dore për vite me radhë. (koha.mk)


