Nafie Selmani
Por në VLEN nuk janë vetëm këta të dy. Aty është Alternativa e Zeqirija Ibrahimit, është Arben Fetai që në vazhdimësi pretendon se përfaqëson ASH-në, është edhe një lëvizje e quajtur Arbëria, dhe është edhe Bekim Qoku, i cili pa votues e pa strukturë pretendon se përfaqëson Vetëvendosjen e cila në Maqedoni nuk ekziston si organizim politik.
Deklarata e Mexhitit ndezi menjëherë aktivistët dhe portale të caktuara, të cilët filluan t’i bien daulles për kryetarin e vet, secili duke u përpjekur ta paraqesë liderin e partisë që i takon si më të duhurin dhe më meritorin në VLEN.
E deri më sot, kryetarët e partive brenda VLEN-it vazhdimisht i kanë bindur qytetarët se janë një trup i vetëm, një kohezion i fortë bashkëpunimi. Po si ndodhi që, papritur, gara për kreun e VLEN-it të reduktohet vetëm në dy protagonistë?
A ua tha Izeti në sy Zeqirijait, Arbenit, Orhanit dhe Bekimit një të vërtetë që edhe vetë e dinë?
Që ata, thjesht nuk vlejnë mjaftueshëm për t’u futur në garë? Apo i minimizoi me qëllim? Këtë do ta sqarojnë ndërmjet vete, supozoj!
Tani mbetet të shihet reagimi i “të përjashtuarve” nga gara, sidomos ai i Alternativës, e cila edhe pse me një mini-bus mbështetësish, dhe e coptuar disa herë, në stilin klasik të improvizatorëve politikë, arriti me akrobacione dinake të hyjë në qeveri të ndryshme disa herë. Do të jetë interesante të shihet se çfarë do të bëjë këtë herë, do e pranojë rolin e dekorit apo do të përpiqet të luajë rolin e vendimtarit duke luajtur edhe në kartën e Izetit edhe të Bilallit?
Një gjë po shihet qartë, se derisa VLEN-i po shpenzon energji duke u marrë me opozitën dhe shpartallimin e saj, do shpartallohet vetë nga brenda.
Dhe një parashikim i saktë është se një ditë publiku do të argëtohet me sharjet, thumbat dhe kritikat që do t’i adresojnë njëri-tjetrit, se këtë zanat këta e kanë të vjetër. E kanë rutinë. Kanë përvojë të gjatë, nga miq në armiq, e pastaj prapë miq, dhe anasjelltas.
Edhe goditjet dhe thikat pas shpine i kanë përvetësuar mirë. E kam përjetuar edhe vetë një thikë qyqare pas shpine nga këta burracakë. Mbetet të shihet kush-kujt do ia ngul këtë radhë?


