Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani sot theksoi se pas zgjedhjeve lokale së bashku me partnerët evropianë po punohet për vendosjen e dialogut dhe rikthimin e besimit midis Shkupit dhe Sofjes, me qëllim tejkalimin e kontestit dhe zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të vendit.
Murtezani këtë e tha në konferencën e sotme për shtyp në Shkup me ministren për Çështje evropiane të Suedisë, Jesika Rosenkranc, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve nëse po përgatitet një protokoll i tretë me Bullgarinë për të tejkaluar dallimet, të cilat së fundmi i përmendi presidentja Gordana Siljanovska Davkova si një nga zgjidhjet kreative.
“Ajo që punohet vazhdimisht pas zgjedhjeve lokale, së bashku me partnerët tanë evropianë është vendosja e dialogut dhe kthimi i besimit, sepse pa dialog dhe besim, nuk mund të bëhet fjalë për tejkalimin e problemit. Për momentin po bëhen përpjekje për vendosjen e dialogut dhe për të ndërtuar besim, dhe më pas do të diskutojmë mënyrat e mundshme për tejkalimin e problemit”, deklaroi Murtezani.
Idenë për protokoll të ri presidentja Siljanovska Davkova e dha gjatë paraqitjes në TV 24, duke aluduar se kjo do të ishte një zgjidhje kreative.
“Ekziston një protokoll, është një procesverbal i thjeshtë i nënshkruar nga dy ministra. Me procesverbal ndryshoni një marrëveshje ndërkombëtare ose i shtohet asaj. Hapni Marrëveshjen e miqësisë dhe fqinjësisë së mirë, nuk ka asnjë fjalë aty për ndryshimet kushtetuese. Pastaj le të jenë kreativ, le të harmonizojnë protokoll të tretë në të cilin do të thonë se nuk mundet çështjet që lidhen me historinë, kulturën dhe identitetin të jenë kusht”, theksoi presidentja.
Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në lidhje me deklaratën e fundit të ambasadores amerikane Anxhela Ageler në intervistën për TV 21 se është e bindur se po punohet në çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe nëse kjo vërtetë është kështu, Murtezani tha se “sigurisht që punohet në këtë, sepse është një detyrim i marrë përsipër, por shtoi se për momentin nuk mund të flasim për procesin e ndryshimit të Kushtetutës, sepse të gjitha shqetësimet dhe dilemat tona nuk janë adresuar në mënyrë adekuate”.
“Sigurisht duhet të punohet në ndryshimet kushtetuese. Është një detyrim i marrë përsipër pa të cilin nuk ka negociata dhe as anëtarësim në BE, por siç theksova, për momentin nuk mund të flasim për procesin e ndryshimeve kushtetuese kur të gjitha shqetësimet dhe dilemat tona nuk janë adresuar në mënyrë adekuate dhe që ato të adresohen, duhet të vendoset dialog i rregullt, të kthehet besimi midis dy vendeve fqinje në mënyrë që të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët në mënyrë evropiane”, tha Murtezani.


